Rastin e hapur në gjykatë, por kandidoi për kryetar të FFK-së: Ky është komenti i Agim Ademit

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është i akuzuar për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit.

I pari i FFK-së Agim Ademi po akuzohet se së bashku me Muharrem Ramën e kanë kërcënuar për vdekje një person.

E gjithë kjo sipas Prokurorisë u bë me qëllim ndryshimi të statusit të një ngastre toke.

Sipas aktakuzës, Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje në atë mënyrë që sipas Prokurorisë i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMË X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.

Në një prononcim në “TV Dukagjini” mbrëmë, Ademi është shprehur optimist se do të dalë i pafajshëm, përcjellë Gazeta Olle.

Kjo shpresë bëri që akuza të mos e pengojë kandidimin e tij për kreun e FFK-së.

“Nuk kisha dashur të komentoj këtë punë deri sa të merret vendimi”, deklaroi Ademi.

“Nuk e kam parë pengesë të kandidojë për kreun e FFK-së, derisa nuk është dëshmuar që jam fajtor”, shtoi ai. /Gazeta Olle/