Rahoveci mund Ponte Prizrenin, Feronikeli përmbysë Trepçën

Rahoveci ka mundur Ponte Prizrenin me rezultat 90:75 (25:17, 21:24, 20:14, 24:20), duke marrë kryesimin në renditje pas xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në basketboll.

Ndeshjen më mirë e nisën vendësit që e fituan çerekun e parë 25:17. Lojë më e barabartë u zhvillua në periodën e dytë, ku më të mirë ishin mysafirët 21:24.

Megjithatë, Vreshtarët vazhduan me lojë të mirë në periudhën e tretë që e fitojnë 20:14, derisa dhjetëminutëshin e fundit e fitojnë 24:20.

Më të dalluarit te Rahoveci ishin Alban Veseli me 20 pikë e shtatë kërcime, Christian Bradford me 19 pikë, pesë kërcime dhe 13 asistime, Javis Howard me 15 pikë e gjashtë kërcime, Justin Gray me 14 pikë e 14 kërcime, si dhe Arian Qallaku me 14 pikë. Te Ponte Prizreni u dalluan Malcom Canada me 26 pikë dhe Mendrit Ademi me 19 sosh.

Rahoveci ka gjashtë fitore dhe një humbje, kurse Ponte Prizreni katër fitore dhe katër humbje.

Feronikeli ka shkrirë epërsinë e Trepçës, duke triumfuar në fund me rezultat 95:97 (29:33, 23:15, 24:20, 19:29).

Takimi ka qenë shumë interesant dhe është vendosur në sekondat e fundit. Çereku i parë ishte shumë interesant dhe përfundon 29:33 në të mirë të skuadrës nga Drenasi.

Por, në dhjetëminutëshin e dytë, vendësit ishin më të mirë, duke e fituar 23:15 dhe atë të tretë 24:20. ‘Xehetarët’ në periodën e fundit kishin epërsi deri në 12 pikë, 89:77, por Nikli hyn në një seri prej 16:0, duke kaluar në epërsi, 89:93.

Megjithatë, Trepça nuk dorëzohet dhe sërish kalon në epërsi 94:93, kurse trepikëshi i Rinor Ahmetit, 25 sekonda nga fundi, e kalon në epërsi sërish skuadrën nga Drenasi. Feronikeli në fund fitoi me rezultat 95:97.