Raçiç: E dua Shqipërinë, është vend i bukur

Sulmuesi serb i të kuqve, Stevan Raçiç, nëpërmjet faqes zyrtare të klubit të Partizanit, dje ka bashkëbiseduar me tifozët e kuq, duke iu përgjigjur 18 pyetjeve që i janë drejtuar.

Nga debatet për derbin, deri te jeta e tij private. “Më pëlqen Jorgjica, Jorgjica”, ka thënë Raçiç. I pyetur nëse do ta puthte flamurin kuqezi, shtatlarti është përgjigjur: “Do ta kisha bërë diçka të tillë nëse ky gjest nuk do të shfrytëzohej për qëllime politike”.

Golashënuesi më i mirë “i demave”, me 14 gola, nuk ka ngurruar të shprehë dëshirën që të vazhdojë të luajë me Partizanin. “Kontrata ime me këtë klub është e përjetshme”. Nga ana tjetër, garanton se nuk do të luajë me asnjë skuadër tjetër në Shqipëri përveçse me Partizanin.

Sulmuesi Raçiç u është përgjigjur edhe pyetjeve për debatet në derbi, duke i konsideruar ato si diçka të kaluar, pjesë e lojës së futbollit, aq më tepër në një ndeshje derbi të ngarkuar me tension. “Janë fantastikë, kam nderin të luaj për ta. Shfrytëzoj rastin rasti t’i falenderoj për mbështetjen e tyre dhe na kanë bërë të ndihemi si në shtëpinë tone kudo ku jemi”, i është përgjigjur Raçiç për mendin që kishte për “Guerrils”-at.

Pyetjes, nëse e do apo e urren Shqipërinë, sulmuesi serb i Partizanit, Stevan Raçiç do t’i përgjigjej:“Më pëlqen Shqipëria, është një vend shumë i bukur. Kam dëgjuar se ka një bregdetet të paparë, njerëzit janë shumë mikpritës dhe miqësorë. Këtë e them me bindje se më kanë bërë të ndihem si në shtëpinë time”.

Ky bashkëbisedim i sulmuesit serb Stevan Raçiç me tifozët e kuq, ishte një risi e ndërmarrë nga zyrat e shtypit e klubit Partizani, që drejtohet nga Olsi Ranxi.