Qesharake: Ngatërrojnë futbollistin, transferojnë gabimisht

Sebino Plaku mbetet pa skuadër. Sulmuesi shqiptar, që ishte pranë firmës me klubin e ligës së dytë polake, Olimpia Grudziazh, nuk ka firmosur kontratën e tij deri në fund të sezonit.

Skuadra që e kishte marrë në provë, në tre ditë, ka kuptuar se kishte bërë një gabim të rëndë. Në vend që të merrte mesfushorin e qendrës së Slaskut, Rok Eslner (slloven), mori ish-lojtarin e Skënderbeut dhe Tiranës, që luan në krah të majtë të sulmit.

“Kishim parë vetëm disa video dhe na u tha se luante në mesfushë, por jo se ishte sulmues krahu…”, u shpreh një nga drejtuesit e klubit Olimpia.

Kështu, firma s’ka ardhur dhe Plaku ka mbetur një futbollist i lirë. Ai pati zgjidhur përpara pak kohësh kontratën me Slaskun, në favor të klubit polak, që s’do t’i duhet t’i paguajë rrogën deri në fund të këtij sezoni, pra në qershor, sipas kontratës.