Qatip Osmani drejt Superligës së Kosovës? Por…

Trajnerët Qatip Osmani dhe Bashkim Livoreka pas largimit nga FC Shkupi aktualisht janë pa angazhim, kjo edhe shkaku i situatës aktuale me koronavirusin.

Asistenti i Qatip Osmanit, Bashkim Livoreka për “Klan Maqedoni” theksoi se ata kanë pasur oferta të shumta që në kohë kur ishin në drejtimin e ekipit “kuqezi”, por kontrata ishte ajo që i ka penguar të pranojnë ofertën nga ekipe të Arabisë Saudite dhe Iranit por edhe ekipeve nga Shqipëria dhe Kosova që kanë qenë oferta serioze.

Dyshja më e suksesshme e trajnerëve Osmani –Livoreka të cilët kanë tre tituj kampioni, një SuperKupë dhe një Kupë vendore, shpresojnë se me përfundimin e kampionatit aktual 2019/20, do të angazhohen qoftë në vendet e rajonit, apo edhe më gjerë.

“Besoj se pas përfundimit të kampionatit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, me siguri Qato do të vendose se ku do të shkojë dhe ku do punojë si trajner”.

Sërish bashkë…. “Po besojmë, besojmë se gjithnjë kemi qenë bashkë dhe me siguri do të jemi bashkë edhe në klubin e ardhshëm” – deklaroi trajneri Bashkim Livoreka.

Dyshja e trajnerëve Qato – Livoreka kanë edhe oferta konkrete nga klube vendore por deri në përfundimin e kampionatit aktual emrat e klubeve nuk do të bëhen publike.