PSG e fiton Kupën e Francës (VIDEO)

Paris Saint-Germaini e ka rrëmbyer edhe Kupën e Francës, pasi e mposhti në finale Olimpique Marseillen me rezultat 4:2.

Që në fillim të ndeshjes që u zhvillua në Stade de France, kryeqytetasit kaluan në epërsi përmes Blaise Matuidit (3’), i cili u asistua nga Di Maria.

Mirëpo, Florian Thauvin e barazoi rezultatin (12’) dhe me shifra identike skuadrat shkuan në pushim.

Në start të pjesës së dytë, Matuidi nxori penalti, kurse Zlatan Ibrahimovic ishte i saktë nga pika e bardhë (47’).

Golin e sigurisë e realizoi Edinson Cavani (57’), i asistuar nga Ibrahimovic. Ibra e shënoi edhe golin e dytë personal (82’), për t’i dhënë fund karrierës me klubin francez në mënyrën më të mirë.

Rezultatin përfundimtar e vendosi Michy Batshuayi në minutën e 87-të.

Ky është trofeu i tretë për PSG-në këtë sezon, pas Ligue 1 dhe Coupe de la Ligue, ndërkaq është hera e dytë radhazi që ky klub i fiton këto tre trofe.