“Profesionalizmi” i FC Prishtina, prej pesë muajsh nuk i jep akreditim Gazetës Olle!

Në kohën kur stadiumi Fadil Vokrri u bë “evropian” falë Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport. Në kohën kur mediave iu krijuan kushte moderne për punë në stadiumin e kryeqytetit. Në kohën kur klubi “më i madh në vend”, në vend se të merret me problemet e veta për të gjetur titullin e “zhdukur” tek fqinjët e ndryshëm për gjashtë vjet, rikthen sërish traditën për t’iu hakmarrë atyre që nuk shkruajnë për teket e tyre.  

Kryesia e klubit bardhekaltër, prej pesë muajsh nuk e akrediton portalin më të madh sportiv në Kosovë, dritaren e parë dhe më të fuqishme për futbollin vendor, Gazetën Olle!

Duke shpresuar se drejtuesit e këtij klubi, do të kthjellin mendjen gjatë pushimit dimëror, ata vazhduan me avazin e njëjtë edhe në takimin e së dielës, të vlefshëm për DigitAlb Kupën e Kosovës ndaj Trepçës ’89.

Nuk e akredituan fotografin e mirënjohur, Hilmi Veliu, i cili është i vetmi që ndjek ndeshjet kryesore të futbollit dhe këtë donte ta bënte edhe të dielën! “Ty të lejojmë, por jo të fotografosh për Gazetën Olle”, është përgjigjja e zëdhënësit të Prishtinës, që vjen nga dirigjimi i shefave.

Gazeta Olle kërkon nga Federata e Futbollit të Kosovës, Shoqata e Gazetarëve Sportivë të Kosovës, si dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të marrin hapa ndaj Prishtinës.

Olle nuk kërkon asgjë më shumë, se sa ta trajtojë stafin e gazetës njësoj si mediumet tjera.