‘Profa’ pas situatës në FFK: Vetëm këtyre dy shteteve i konvenon kjo gjë

Trajneri kosovar, Bylbyl Sokoli, beson se situata e krijuar aktualisht në futbollin kosovar i konvenon vetëm Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Federata e Futbollit e Kosovës është trazuar gjatë dy javëve të fundit pasi që grupit opozitar të saj i është bashkuar edhe njëri ndër zyrtarët më të lartë të vetë Federatës, zëvendëssekretari tashmë i shkarkuar, Arianit Ahmeti, shkruan Gazeta Express.

Ahmeti pretendon se Agim Ademi nuk ka mandat katërvjeçar deri në vitin 2022, por vetëm deri ne vitin 2020, duke e konfirmuar vendosmërinë e tij për ta marrë postin e kryetarit në FFK. Ai thotë se e ka mbështetjen e 41 prej gjithsej 59 delegatëve në FFK për ta rrëzuar Ademin nga posti i presidentit të FFK-së.

Pretendimin e Ahmetit fillimisht e mbështeti edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila doli me një interpretim ligjor, me 17 muaj vonesë, se kuvendi në të cilin Ademi ishte zgjedhur kryetar ishte i parregullt. Nga ky interpretim u distancua ministri në detyrë, Kujtim Gashi, i cili tha se ai s’ishte qëndrim i Ministrisë dhe se personi që e kishte publikuar atë e kishte bërë pa dijeninë e të tjerëve.

Ndërkohë, për Ahmetin u mor vendim nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së për ta shkarkuar, pasi që u tha se ai po e shfrytëzonte postin e tij për ta dëmtuar Federatën e për ta promovuar veten. Sokoli beson se e gjitha kjo situatë i konvenon vetëm Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Kjo situatë i konvenon vetëm Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Maqedonia do të kualifikohej drejt e në finale për të shkuar në Kampionatin Evropian, ndërsa Serbisë do t’i ndihmonte pasi që ata vazhdimisht pretendojnë se Kosova s’di të organizojë futboll”, ka thënë Sokoli në emisionin Favorit në T7.