Procedurat fillojnë sivjet, Vëllaznimi me stadium evropian prej afër 14 mijë ulëseve

Vëllaznimi i Gjakovës do të bëhet me stadium modern. Ky stadium do të jetë financim i Qeverisë së Kosovës. Zyrtarja për informim në Komunën e Gjakovës, Sentona Macula, konfirmon për gazetën “Zëri” se procedurat për stadiumin e ri do të fillojnë gjatë këtij viti. Presidenti i Vëllaznimit, Agim Cana, vlerëson se stadiumi i ri është pasuri për gjeneratat e reja.

Infrastruktura e futbollit në stadiumet kosovare në vitet e fundit ka nisur që të përmirësohet.

Kosova është bërë me dy stadiume të pranuara edhe ndërkombëtarisht, stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, si dhe stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Pritet që në këtë vit të vihet gurthemeli edhe për stadiumin nacional i cili do të ndërtohet në fshatin Koreticë të Komunës së Drenasit.

Ndryshe, edhe FC Prishtina shumë shpejt pritet të dalë në dritë sa i përket infrastrukturës. Kjo për faktin se klubi më i madh kosovar përfundimisht e mori në shfrytëzim një parcelë të tokës me një sipërfaqe prej dhjetë hektarësh në Bërnicë për ta ndërtuar kompleksin e vet sportiv, shkruan “Zëri”

Marrëveshja është nënshkruar në mes ministrit të Sportit Kujtim Gashit dhe presidentit të FC Prishtinës Remzi Ejupit.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Sportit, parcela e tokës prej 100 mijë metrash katrorë do të shfrytëzohet nga FC Prishtina për 40 vjetët e ardhshme.

FC Prishtina do ta nisë së shpejti ndërtimin e kompleksit sportiv, i cili do të marrë kohë deri në finalizim, por që do të kryhet pjesë-pjesë. Në këtë investim milionësh pritet të kontribuojnë edhe investitorë të huaj.

Krahas këtyre stadiumeve, futbolli i Kosovës pritet që të bëhet edhe me një stadium modern.

Gjakova, konkretisht klubi i Vëllaznimit, do ta ketë një stadium me standarde evropiane.

Ky stadium do të jetë financim i Qeverisë së Kosovës.

Zyrtarja për informim në Komunën e Gjakovës, Sentona Macula, konfirmon për gazetën “Zëri” se procedurat për stadiumin e ri do të fillojnë në këtë vit. “Do të jetë financim i Qeverisë së Kosovës. Parashikohet fillimi i procedurave gjatë këtij viti. Ky stadium do të jetë me standarde të UEFA-s dhe të FIFA-s”, ka deklaruar Sentona Macula.

Më tutje ajo bën të ditur se stadiumi i ri do të ndërtohet në vend të atij aktual. Sipas saj, stadiumi do të ketë kapacitet prej 13 mijë e 800 ulëseve. “Stadiumi i ri i futbollit në Gjakovë do të ndërtohet në vend të stadiumit aktual me standarde te FIFA-s e të UEFA-s dhe me kapacitet prej 13.800 ulëseve”, zbulon Sentona Macula.

Cana: Stadiumi i ri është pasuri për gjeneratat e reja

Presidenti i Vëllaznimit, Agim Cana, e ka mirëpritur lajmin për stadiumin e ri.

Ai vlerëson se kjo është një pasuri për gjeneratat e reja. “Kjo është një gjë shumë e mirë, shumë pozitive, pasuri shumë e madhe. Është një perspektivë dhe mundësi për gjeneratat e reja dhe gjithë futbollin kosovar”, ka deklaruar Agim Cana për “Zërin” të enjten. “Me një stadium ashtu siç është paraparë hapen të gjitha mundësitë. Mund të marrim pjesë edhe në gara ndërkombëtare. Le ta shohim se çfarë do të bëhet, po presim”, theksoi Agim Cana.

Vëllaznimi i Gjakovës është bërë me hotel privat. Klubi kosovar do ta ketë hotelin privat në Gjakovë, hotel që është në pronësi të presidentit të klubit, Agim Cana.

Në hotel do të jenë edhe zyrat e klubit, ndërkohë që futbollistët do t’i kenë dhomat e tyre aty. “Fillimisht duhet që lojtarëve t’ua plotësojmë kushtet, në mënyrë që të kërkojmë diçka prej tyre. Kushtet tani i kanë dhe ta shohim se si do të jenë rezultatet. E kemi edhe hotelin e ri. Janë disa gjëra që kanë ndryshuar drejt rrugës së profesionalizmit”, theksoi Agim Cana.

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar tash e një vit e ka marrë drejtimin e Vëllaznimit të Gjakovës. Me ardhjen e tij gjërat në këtë sa i përket organizimin kanë lëvizur për të mirë.

Synimet për këtë vit

Vëllaznimi që drejtohet nga trajneri Ismet Munishi në këtë edicion bën gara në Ligën e Parë. Synimi kryesor i skuadrës është rikthimi në elitë. “Është një planprogram disavjeçar dhe ta shohim se ku do të arrijmë. Jemi në vendin e pestë. Dihet se objektivi ynë është që të rikthehemi në Superligë. Jam optimist si çdo kryetar klubi që ka dëshirë të luajë në nivelin më të lartë. Besoj se me këto kushte dhe me këtë grup që kemi do të hyjmë në Superligë”, potencoi Agim Cana.