Prizreni jashtë ligës mbarëshqiptare: Kështu përgjigjet trajneri i njohur kosovar

Që nga fundi i muajt shtator pritet të formohet liga mbarëshqiptare në basketboll ku pritet të jenë pjesëmarrëse skuadrat nga Kosova e Shqipëria.

Tashmë skuadrat kosovare që priten të jenë pjesëmarrëse në këtë garë janë: Peja, Prishtina, Rahoveci e Ylli, përcjellë Gazeta OLLE.

Por qyteti historik i Kosovës, Prizreni është lënë anash ku asnjëra nga dy skuadrat që janë pjesë e Superligës, nuk do të jenë pjesë e ligës mbarëkombëtare

Kryetrajneri karizmatik i skuadrës së Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati ka reaguar pas raportimeve për ekipet që mund të marrin pjesë në ligën mbarëkombëtare me Shqipërinë.

Në një intervistë për “AsistiOnline”, Rifati tha se liga mbarëkombëtare pa ekipet nga qyteti i Prizrenit nuk do të kishte hijeshinë e saj.

“Liga mbarëkombëtare me Shqipërinë është ide e qëllur, por që pa ekipet nga kryeqyteti historik i shqiptarëve – Prizreni, nuk ka hijeshi. Andaj, Ju jap mesazh dy krerëve të Federatave, atij të FBK-së dhe FSHB-së se pa Prizrenin liga mbarëkombëtare është sikurse shtëpia pa themel’’, tha Rifati.

Të kujtojmë se Ponte Prizreni, është njëra ndër ekipet më simpatike e viteve të fundit në basketbollin e Kosovës, ndërsa Rifati e ka udhëhequr ekipin në fjalë për disa vite rresht, llimisht duke e inkuadruar në Superligë e më pas duke treguar lojëra fenomenale edhe në elitë dhe duke arritur rezultate të kënaqshme.