“Prishtina si Chelsea”

Drejtuesit e klubit me historinë më të pasur në vend, Prishtina, besojnë se skuadra e kaltër do të jetë edhe edicionin e ardhshëm në Superligën e Kosovës në futboll. Për t’i shpëtuar më të keqes – rënies nga elita – zyrtarët e klubit kërkojnë ndihmë dhe mbështetje nga gjithë ata që ia duan të mirën Prishtinës.

Prishtina aktualisht është në pozitën që nuk ia siguron mbijetesën në elitë. Mban vendin e dhjetë me 21 pikë, vend që në fund të edicionit dërgon në barazh. Është luajtur xhiro e 21-të, ndërsa deri në fund kanë mbetur edhe 12 xhiro. Më pak pikë se Prishtina kanë vetëm Vushtrria e Istogu, nga 18, që mbajnë dy pozitat e fundit në klasifikimin e Superligës.

Ky vlerësohet të jetë edicioni më i dobët i Prishtinës pas luftës, por edhe nga pavarësimi i futbollit kosovar. Prishtina është skuadra e vetme që gjithnjë ka luajtur në elitën e futbollit kosovar, shkruan sot Koha Ditore.

Humbja e pësuar të shtunën nga Drenica në Skenderaj me shifrat 1:0 ka rritur mundësinë që Prishtina mos të jetë në gjendje t’i ikë zonës së barazhit. Në barazh dërgojnë pozitat nëntë e dhjetë, ndërsa dy pozitat e fundit (11, 12) nuk sigurojnë ekzistencën. Aktualisht në vendin e nëntë është Drita me 24 pikë, kurse Drenica është një pozitë më lart, por i ka katër pikë më shumë (28).

Nënkryetari i klubit Prishtina, Afrim Muçiqi, ka thënë se pozita aktuale është shqetësuese. Por, ai me bindje të plotë thotë se Prishtina do të mbijetojë.

“Janë shqetësuese rezultatet dhe pozita në të cilën gjendemi. Por, ne do të fokusohemi tashmë në Kupë dhe të mos na ndodhin më gabime në kampionat. Njerëzit mund të thonë se edhe mund të jetë edicioni më i keq që nga paslufta, por Prishtina duhet dashuruar edhe në këtë pozicion. Madje, më shumë. Tash duhet që njerëzit të na ndihmojnë dhe të na mbështesin në këto momente të vështira. Mos të harrojmë se edhe klubet e mëdha evropiane kanë pësuar rënie, si rasti i Chelseat e disa klubeve tjera. Do ta gjejmë formulën më të mirë të mundshme për të dalë sa më parë nga rezultatet negative”, ka thënë Muçiqi.