Prishtina po shkon drejt “tripletës”

Kur drejtuesit e Sigal Prishtinës zyrtarizuan si trajner të ri të klubit Antonis Constantinidesin, paralajmëruan se qiprioti po vinte për të sjellë gjërat në vend pas eliminimit të hershëm në FIBA Europe Cup.

Dhe kjo sjellje e gjërave në vend nënkuptonte fitimin e gjithë trofeve që kishin mbetur.

Tash, kur stinori po shkon nga fundi, qiprioti ka udhëhequr Prishtinën drejt dy trofeve – atij të Kupës së Kosovës dhe të Ligës Ballkanike, të fituar të mërkurën për herë të dytë rresht, shkruan sot Koha Ditore. Për t’u kompletuar “tripleta” e titujve kërkohet edhe titulli kampion i Kosovës. Plejofi nis këtë fundjavë dhe Constantinides thotë se skuadra është e gatshme të fitojë edhe këtë betejë.

Constantinides ka nisur punën te Prishtina më 3 janar dhe për gjithë këtë kohë ka pësuar vetëm dy humbje, një nga Peja në kampionat dhe një nga Mornari në finale të BIBL-it. Prishtina u mposht të mërkurën në Tivar (75:68), por në fund mbrojti titullin, pasi në ndeshjen e parë në Prishtinë kishte mposhtur Mornarin me 14 pikë dallim (82:68).

“Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se do ta mbyllim edicionin me tri trofe. Duke pasur parasysh se çfarë trajneri kemi sjellë dhe duke u bazuar në punën e tij, kam besuar në sukses”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Sigal Prishtinës, Florian Miftari.