Prishtina me ekip më të fortë, por me një garë më pak

Sigal Prishtina planifikon që për edicionin e ardhshëm të formojë skuadër edhe më të fortë. Por kampionia në fuqi e Ligës Ballkanike dhe e Kosovës, pritet që të heqë dorë nga njëra prej tri garave në të cilat është paraqitur këtë edicion.

Prishtina në edicionin 2015/16 luajti në FIBA Europe Cup, në Ligën Ballkanike dhe në Kampionatin e Kosovës. Ndërkohë është paraqitur edhe në Kupën e Kosovës, garë të cilën e ka fituar tashmë. Prishtina është po ashtu në finale të Ligës Ballkanike dhe pritet të luajë edhe në finale të Kampionatit të Kosovës. Por në garën më të rëndësishme, FIBA Europe Cup dështoi të realizojë synimet. Nuk ia doli të kalojë fazën e parë, shkruan sot Koha Ditore.

Për këtë arsye te Prishtina planifikojnë që në edicionin e ardhshëm të heqin dorë prej njërës garë. Prishtina pretendon që në edicionin tjetër të lirohet prej Kampionatit të Kosovës, deri në fazën finale të tij, model që e kanë klubet më të forta të rajonit. Por nëse kjo nuk i mundësohet, atëherë te Prishtina do të shqyrtojnë paraqitjen në Ligën Ballkanike. Këtë e ka bërë të ditur të hënën drejtori i Sigal Prishtinës, Florian Miftari.

Garimi në tri fronte në të njëjtën kohë nuk ishte i përballueshëm për Prishtinën, të paktën jo ashtu si kanë pritur drejtuesit e klubit.

“Ideja është që të lirohemi prej pjesës së rregullt të kampionatit dhe të inkuadrohemi në Superligën e Kosovës vetëm për fazën e plejofit. Ky model është në të gjitha vendet e rajonit. Skuadrat që garojnë në Evropë dhe në liga rajonale lirohen prej pjesës së rregullt. Nëse kjo nuk na mundësohet, atëherë do të duhet të shqyrtojmë pjesëmarrjen në Ligën Ballkanike. Natyrisht për të gjitha këto vendos Bordi i klubit. Ende asgjë nuk është e prerë, do të ketë edhe biseda me FBK-në dhe Ligën Ballkanike”, ka theksuar Miftari.