Prishtina kampion

Prishtina është kampion i ri i Kosovës në hendboll (femrat). Bardhekaltrat ishin më të suksesshme edhe më takimin e dytë të finales së play-off-it, duke e i shkaktuar humbje me pesë gola dallim (37:32) Shqiponjës nga Gjakova. Finalja e dytë u zhvillua në palestrën e sportit ‘Shani Nushi’ në Gjakovë, por nuk i ndihmoi Shqiponjës që t’i revanshohen Prishtinës për humbjen e parë në kryeqytet me 37:31. Prishtina e mposhtë Shqiponjën me rezultat 2:0 në seri të fitoreve dhe shpallen kampion, ky është trofeu i dytë pas Kupës së Kosovës. Në periudhën e parë të lojës, bardhekaltrat bënë me dije se do të fitojnë ballafaqimin, pasi edhe ishin në epërsi me tetë gola (13:21) në minutën e 30-të.

Shpresa Fazlija dhe Mimoza Sefedini, ishin më të dalluarat në petkun e Prishtinës. Fazlija realizoi dhjetë gola, e ndihmuar edhe nga Sefedini me 8 sosh, duke qenë të papërmbajtshme për vendaset. Shqiponja në pjesën e dytë u mundua me mish e më shpirt për ta rikthyer rezultatin, por ka qenë e kot. Valerina Malaj, kapitene e ekipit, me gjithë 13 golat e saj, e ndihmuar edhe nga Mona Ibrahimi me 7 sosh, nuk ia dolën ta befasojnë Prishtinën që luajti me zgjuarsi deri në fund. Prishtina triumfoi me rezultat 37:32 dhe me plotë meritë stolisen me titullin e kampionit. Kryeqytetaset kanë treguar lojëra më konstante për gjatë gjithë edicionit dhe si rrjedhojë e kësaj edhe fituan kurorën e dyfishtë.