Prishtina: Ja pse ‘RTK’ po, e ‘Digitalb’ jo

Klubi më i madh në vend, Prishtina vazhdon që mos të bashkëpunojë me kompaninë më të madhe televizive në Shqipëri e Kosovë, ‘Digitalb’. Të drejtat televizive, klubi më i madh i’a ka dhënë televizionit publik të Kosovës, RTK, ndërkohë që të gjitha klubet e tjera i kanë besuar kompanisë ‘Digitalb’.

Në një prononcim për Gazetaolle.com, nënkryetari i klubit prishtinas, Afrim Muçiqi, sqaron se pse Prishtina është ndarë nga klubet e tjera të Superligës.

“RTK-ja është në interes të klubit. Është kosto e cila u konvenon klubit. Interesin e kemi të transmetohen ndeshjet në RKT, pasi që ka kërkesa të mëdha edhe nga bashkëatdhetarët tanë në Evropë, që ta shohin Prishtinën. Me ‘Digitalbin’, është më problem pasi që duhet paguar kartela e gjëra të ngjashme, pra kosto është më e lartë për njerëzit”, ka thënë Afrim Muçiqi.

RTK-ja i ka të drejtat televizive vetëm për ndeshjet që Prishtina i luan si vendas.