Prishtina e vetme në garën për triumfin e dyfishtë

Do të jetë mision i vështirë, por skuadra e Prishtinës do të mundohet që deri në fund të muajit maj të mbajë pozitën aktuale në tabelën e Vala Superligës së Kosovës – të parën.

Kështu thotë trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, kur deri në fund të këtij edicioni kanë mbetur edhe 11 xhiro për t’u zhvilluar.

Prishtina është lidere me 42 pikë, katër më shumë se skuadra e Dritës, që renditet në pozitën e dytë pas 22 xhirove.

Pikërisht ndaj Dritës, Prishtina do të luajë ndeshjen e xhiros së fundit të këtij edicioni.

auto_Prishtina1520590273

Si ndaj Dritës ashtu edhe ndaj Trepçës ’89, ndeshje që hap fazën e tretë të këtij edicioni, Prishtina do të jetë vendëse.

Me Trepçën ’89, Prishtina do të luajë të mërkurën. Në fazën e tretë, gjashtë skuadrat e para në tabelë kanë nga një ndeshje më shumë si vendëse. Prishtina, në pjesën e dytë të këtij edicioni, ndeshjet si vendëse po i luan në Pejë, për dallim prej pjesës vjeshtore kur luante në Obiliq, Podujevë e Mitrovicë.

Sa i përket Kupës, prishtinasit do të përballen me Vushtrrinë, ndërsa në garë nga ana tjetër janë edhe Drenica dhe Vëllaznimi.