Presidenti i Veronas në Shqipëri

Një i ftuar special zbarkoi të Hënën në ambjentet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Presidenti i klubit italian të Hellas Verona, Maurizio Setti, i cili ndodhet në vendin tonë, zhvilloi një takim me kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka dhe krerët më të lartë të kërij institucioni. Fillimisht ai u ndal në munzeun e federatës dhe më pas sqaroi qëllimin e vizitës së tij.

“Është një vizitë kortezie por edhe vizitë pune. Është hera e parë që vij në Shqipëri. Falënderoj presidentin për pritjen e ngrohtë. Shqipëria është një vend që premton shumë në futboll, prandaj unë jam këtu për të kuptuar pak më shumë rreth vendit dhe futbollit tuaj”.

Në vijim, Setti bëri një koment edhe për zhvillimin e futbollit shqiptar gjatë viteve të fundit, duke u përqëndruar te ecuria pozitive e kolonisë së kuqezinjve në kampionatin italian edhe pse evitoi një përgjigje të drejtëpërdrejtë për mundësinë e afrimit të një lojtari shqiptar në të ardhmen te skuadra e Veronës.

“Lojtarët shqiptarë janë të përgatitur, kanë karakter dhe unë që vij nga Carpi kam një shembull. Ai është Memushaj, një lojtar me shumë grintë prandaj mund të them se në Itali ka hapësira për lojtarët e mirë shqiptarë”.

52-vjeçari la gjithashtu të hapur mundësinë e krijimit të një akademie në vendin tonë.

“Ne po punojmë për shumë akademi në Itali dhe besoj se në të ardhmen mund të nisim një bashkëpunim por për këtë do të flasim me federatën. Shqipëria nuk është shuma larg Italisë dhe menaxhimi mund të jetë i lehtë, por e theksoj që kjo është një mundësi që do ta konsiderojmë në të ardhmen”.

Në fund, drejtuesit më të lartë të klubit italian dhe ata të federatës shqiptare ndërruan fanellat në mënyrë simbolike për të sinjalizuar në këtë mënyrë hapin e parë të një bashkëpunimi të mundshëm në të ardhmen.