Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës nderon Syndrom Down Kosova

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka marrë pjesë në prezantimin e produktit të ri të Shoqatës Syndrom Down Kosova, të bërë të enjten.

Mysafirë të shumtë ishin të pranishëm në promovimin e produktit të ri “Xhem 21 Mjedra”, produkt ky i përbërë nga mjedrat.

Dhjetëra persona të kësaj shoqate me Syndrom Down pritën ngrohtësisht mysafirët, duke iu shërbyer xhemin e prodhuar nga mjedrat dhe ëmbëlsira tjera të përgatitura nga ta.

Bashkëpunimi KOK – Syndrom Down Kosova është prej vitesh, ku kjo Shoqatë merr pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuara nga KOK.

Presidenti i KOK-ut, Hasani u njoftua për së afërmi nga drejtuesit e kësaj shoqate për produktet e tyre, duke i uruar ata për iniciativën e prodhimit të këtyre produkteve dhe kujdesin e Shoqatës ndaj këtyre personave.

I pari i Komitetit Olimpik të Kosovës shfrytëzoi rastin që bashkarisht me personat me Syndrom Down të bëjë foto duke promovuar produktet e tyre, derisa atyre u dhuroi edhe librin “Debutimi i Artë”, kushtuar përvjetorit të parë të medaljes së artë olimpike të Malinda Kelmendit.