Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, zbulon detaje të takimit me ministrin Vitia

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, bashkë me ministren për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi, drejtorin e Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj dhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi e Eroll Salihu, kanë takuar sonte ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.

Qëllimi i takimit ishte kërkesa e bërë nga MKRS, KOK dhe federatat sportive, që aktivitetet sportive të fillojnë më herët se sa që është paraparë sipas fazës së tretë të masave të lehtësimit, thuhet në njoftimin e KOK-ut, raporton Gazeta Olle.

“E njoftuam ministrin Vitia për nevojën e fillimit me përgatitje sipas veçorive të sporteve. U dakorduam që nesër në takimin e KOK-ut, MKRS-së dhe federatave, të mblidhen shënime plotësuese nga federatat. Pasi të tubohen këto të dhëna, do të realizohet edhe një takim tjetër”, deklaroi presidenti Hasani për faqen zyrtare të KOK-ut, www.noc-kosovo.org.

I pari i Lëvizjes Olimpike në Kosovë, shtoi se edhe në të ardhmen do të ketë takime me ministrin e Shëndetësisë, Vitia, për bashkërenditje, shkëmbime të informatave dhe për gjetjen e kohës optimale për fillimin e stërvitjeve, gjithmonë duke pasur parasysh ruajtjen e shëndetit të sportistëve.

Aktivitetet sportive janë paraparë të fillojnë prej 2 qershorit, fillimisht me përgatitje, mirëpo kjo datë për shumë federata sportive duket të jetë jo e përshtatshme.