Presidenti Ademi sjell lajme të mira nga Turqia

Kreu i futbollit kosovar, Agim Ademi, po qëndron në Stamboll.

Ai është ftuar në një organizim të UEFA’s, ku ndër të tjera do të jetë mysafir i veçantë për sfidën e Superkupës së Evropës mes Liverpoolit dhe Chelseat, shkruan Gazeta Olle.

E, sot gjatë ditës, ai u takua me shumë homologë rajonal si dhe me presidentin e UEFA’s, Aleksander Ceferin. Përveç kësaj, presidenti Ademi takoi edhe kryebashkiakun e Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili i premtoi ndihmë dhe bashkëpunim me grupmoshat e reja.

Njoftimet e FFK’së:

“Presidenti Agim Ademi, gjatë qëndrimit në Stamboll, është takuar me presidentin e UEFA-s, Aleksander Ceferin, si dhe me homologët e tij Nihat Ozdemir nga Turqia, Davor Shuker nga Kroacia dhe Elvedin Begiq nga Bosnja e Hercegovina. Gjatë këtij takimi presidenti Ademi është përgëzuar për serinë e shkëlqyeshme të Kombëtares sonë, si dhe për punën e mirë që po bën FFK-ja në zhvillimin e futbollit. Gjatë bashkëbisedimit presidenti Ceferin e përgëzoj presidentin Ademi për punën dhe realizimin e programit dhe projekteve të strategjisë së re të UEFA-s, duke theksuar se FFK-ja është njëra nga federatat e para që i ka realizuar të gjitha projektet. Po ashtu, Ceferin theksoi se Kosova si anëtarja më e re e UEFA-s gëzon kujdes të veçantë dhe përkrahje në vazhdimësi nga ky asociacion. Ndërkaq, presidenti Ademi e preku edhe temën e ndeshjeve ilegale të klubeve serbe, me ç’rast kërkoj nga UEFA që të respektohet statuti i saj në lidhje me përzierjen e ligave të shteteve tjera në territorin e një anëtari të UEFA-s, siç është tani rasti i Kosovës. Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për shtetet të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet, e që do të jenë mysafire në Kosovë për ndeshjet kualifikuese, siç është rasti me Rusinë në konkurrencën e femrave. Me këtë rast, presidenti Ademi garantoi siguri të plotë për Rusinë dhe për çdo kombëtare tjetër, si dhe mikpritje dhe respektim të plotë të rregulloreve të UEFA-s e FIFA-s.”

“Presidenti Agim Ademi ka zhvilluar sonte një takim me kryebashkiakun e ri të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Gjatë këtij takimi presidenti Ademi e njohu kryebashkiakun e Stambollit me të arriturat e FFK-së dhe të Kombëtares së Kosovës pas anëtarësimit në UEFA e FIFA, teksa u diskutua edhe për bashkëpunimet ndërmjet klubeve të dy vendeve në të ardhmen, në veçanti për kategoritë e reja. Presidenti Ademi gjatë këtij takimi theksoi se duke pasur parasysh kontributin e madh që shqiptarët e Kosovës kanë dhënë për futbollin në Turqi, siç ishte rasti me themeluesit e Gallatasarajt që ishin me prejardhje nga Kosova, pastaj ish-kryetari i Fenerbahçes, Ali Shen si dhe trajneri i tanishëm i Fenerahçes, e po ashtu edhe shumë biznesmen të njohur në Turqi që janë me prejardhje nga Kosova, atëherë ka shumë arsye për të pasur bashkëpunime dhe lidhje mes qyteteve dhe klubeve tona. Ndërkaq, kryebashkiaku i Stambollit u shpreh i lumtur që e takojë presidentin Ademi dhe premtoj se shumë shpejtë do ta vizitojë Kosovën dhe FFK-në”. /Gazeta Olle/