PRAPASKENA: Shaptahu zbulon se kishte ofertë nga gjiganti turk, por mori vesh shumë vonë

Njëri nga basketbollistët më të mirë që ka luajtur në Kosovë, Samir Saptahovic, ka zbuluar se para disa viteve për të kishte shprehur interesim gjiganti turk, Efes Pilsen, transmeton Gazeta Metro.

Samir Saptahovic (i njohur edhe si Samir Shaptahu) ka kaluar më shumë se 12 vite karrierë në Kosovë, teksa ka fituar 4 herë titullin e kampionit dhe tre herë Kupën e Kosovës.

Në një intervistë të dhënë së fundmi, ish basketbollisti shqiptar ka zbuluar se për të interesim kishte shprehur gjiganti turk, Efes Pilsen, madje kishte bërë edhe ofertë.

“Më kujtohet kur kemi luajtur dy lojë miqësore në Turqi me Efes Pilsenin, pastaj Efes Pilseni ka ardhë me lujtë miqësore me neve në Prishtinë. Unë kam shkëlqyer në atë ndeshjet dhe mënjeherë zyrtarët e klubit të Efesit kanë dërgu ofertën në zyret e klubit Prishtina. Me keqardhje mund të them se e kam marrë vesh shumë vonë për atë ofertë, pasi që në atë kohë Presidenti i klubit të Prishtinës, Ismet Karaxha, e ka fshehur atë ofertë edhe ajo ofertë në fund ka rënë në ujë” – ka thënë 38 vjeçari për ‘Fan Zone’, transmeton Gazeta Metro.

“Kam mundur të luajë në Euroligë, por fati ka qenë i tillië. Mirëpo nuk kam qenë shumë edhe shumë i zhgënjyer, pasi që edhe në Kosovë kam kaluar kohë të bukur dhe pagesat në atë kohë ishin të larta” – ka deklaruar Samir Shaptahu.

Ndryshe, Samir Shaptahu në Kosovë ka luajtur për skuadrat si Sigal Prishtina, Mabetexi, AS Prishtina, Bashkimi e Peja.