Pronari i Shkëndijës, Lazim Destani, gati të blejë Vëllaznimin!

Ditë të mira po vijnë për Vëllaznimin e Gjakovës. Klubi po shkon drejt privatizimit, ndërkohë që interes për të qenë aksionar në klub ka shprehur edhe njëri ndër biznesmenët më të mëdhenj shqiptarë Lazim Destani.

Destani, i cili gjithashtu është pronar i Klubit Futbollistik “Shkëndija” nga Tetova ka shprehur interesim për tu bashkuar me familjen Cana që ndodhet në krye të klubit të Vëllaznimit.

Këto informacione i ka konfirmuar Besnik Gojani, zyrtar në klubin e Vëllaznimit, i cili ka thënë se në ditët në vijim pritet të qartësohet statusi i klubit dhe se pjesë në aksionet e klubit do të ketë edhe Destani.

“Presidenti Cana është në fazën e fundit të bisedimeve rreth privatizimit të klubit. Mbështetje maksimale ka prej kryetarit të komunës, Ardian Gjini. Sa i përket familjes Destani – ajo pritet të zyrtarizohet këtë javë, pasi i kemi vëllezër dhe e dashurojnë Gjakovën sa Tetovën! Në javët në vijim do të dihet fati i statusit të K.F Vëllaznimit. Fuqia më e madhe e qytetit, simpatizuesit e zjarrtë e përkrahin maksimalisht këtë iniciativë” , ka konfirmuar zyrtari i klubit të Vëllaznimit, Besnik Gojani për ‘GazetaBlic‘.

Vlen të theksohet se kryetari i komunës së Gjakovës dhe asambleja komunale kanë shprehur gatishmërinë që klubi t’i besohet familjes Cana.

Klubi pritet të shndërrohet në shoqëri aksionare në mes komunës dhe familjes Cana, ku do të ndërlidhet edhe familja Destani.