Portugalia në finale (VIDEO)

Portugalia e udhëhequr nga Cristiano Ronaldo ka kaluar në finale të EURO 2016 pas fitores kundër Uellsit me rezultat 2-0.

Edhe pse pjesa e parë ishte shumë e baraspeshuar, në pjesën e dytë portugezët u ndezën duke shënuar dy herë.

Të dy skuadrat janë treguar të matura në pjesën e parë duke mos i lënë portat e tyre të atakohen shumë.

Rastin më mirë për Portugalinë e kishte Joao Mario (16’) që gjuajti jashtë portës.

Uellsi u përgjigj me Balen (23’), por aksioni i bukur i tyre nuk u mbyll me gol.

Në fund të pjesës së parë provoi edhe CR7 me kokë, por jashtë. Pjesa e parë mbyllet pa gola dhe me pak raste për shënim.

Në të dytën portugezët u ndezën dhe të udhëhequr nga ylli i tyre Cristiano Ronaldo shënuan dy gola të shpejtë.

Në minutën e 50-të nga këndi harkon Raphael Guerreiro që gjen kokën e Ronaldos, i cili tund rrjetën për 1-0.

Uellsianët nuk arritën as të këndellen nga goli i parë kur pranuan edhe të dytin pas tre minutash.

Ronaldo gjuan drejt portës dhe goditjen e tij e devijon bukur Nani për ta mposhtur Wayne Hennesseyn (2-0).

Në të 63-tën Ronaldo provoi nga gjuajtje e lirë, por topi shkoi pak mbi shtyllën pingule.

Uellsi provoi të bëjë më shumë në këtë ndeshje, por la hapësira prapa dhe lehtë ka mundur të ndëshkohej nga Joao Mario (66’) dhe Ronaldo (86’).

Portugalia është finalisti i parë, ndërsa do të provojë ta fitojë trofeun për herë të parë në histori.