Portieri shënon dhe shpëton Shqipërinë U21 nga humbja (VIDEO)

Gentian Selmani, është bërë hero i përfaqësueses shqiptare U21 duke shënuar golin e barazimit 1-1 në shtesën e ndeshjes së dytë përballë Bjellorusisë.

Gardiani kuqezi, i cili mbante edhe shiritin e kapitenit, ishte përfshirë në formacionin titullar nga Bushi, një mundësi më shumë për t’u ndjekur nga menaxherë të shumtë që po shihnin takimin e sotëm. Ai nuk ka zhgënjyer kur në fund të ndeshjes, ka dalë në sulm për të ndihmuar ekipin të merrte këtë barazim me një devijim vendimtar.

Shqipëria e filloi keq ndeshjen, ashtu si të parën, duke pësuar një gol të shpejtë pas një gafe në mbrojtje. Më pas, kuqezinjtë u hodhën plotësisht në sulm, duke krijuar shumë raste për shënim, por duke mos konkretizuar me gjuajtje drejt portës. Edhe në rastet kur topi shkonte në katërkëndor, për ta ishte e vështirë të kalonin portierin e bjellorusëve.

Gjërat u bënë pak më të thjeshta në fillimin e pjesës së dytë, kur Juxhin Xhaja ndëshkoi me karton të kuq një nga lojtarët bjellorusë pasi po protestonte të vijërojtësi për një faull që nuk ishte dhënë në favor të tij. Dominimi i ekipit shqiptar vazhdoi, por askush nuk po arrinte të shtynte topin në rrjetë.

Ndaj u desh ndihma e Selmanit që të zgjidhej gjithçka e që Shpresat të mbyllnin këto miqësore me dy rezultate pozitive radhazi, që kthejnë pak besimin te ky grup i cili dukej në krizë të plotë rezultatesh. /vipsport.al