“Portieri” Dallku: Jemi krenarë!

Mbrojtësi veteran shqiptar, Armend Dallku, do të mbahet përgjithmonë mend nga tifozët e Vorskla Poltavës.

Dallku te Vorskla ka statutin e një heroi dhe e meriton. Rasti i fundit është pikërisht ndeshja kundër Zhilinës në Europa League, ku Dallku ka luftuar deri në fund, duke qenë mjaft i rëndësishëm me dy asiste, që në fund nuk kanë vlejtur, sepse Zhilina shënoi në minutën e 122-të golin e kualifikimit.

Megjithatë, Dallkut nuk i harrohet asgjë dhe tifozët kanë vlerësuar trimërinë e shqiptarit edhe në ndeshjen e vajtjes, në Sllovaki.

Zhilina fitoi 2-0, por Dallku në fundin e ndeshjes luajti si portier, pas kartonit të kuq të portierit Bogush, duke pësuar gol në minutat shtesë.

Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë flet për sfidat me sllovakët. “Ishin ndeshje të kundërta njëra me tjetrën. Në Sllovaki nuk e luajtëm ndeshjen tonë më të mirë, ku pësuam dy gola dhe humbën edhe një penallti. Duhet thënë se në dhjetë minutat e fundit luajtëm edhe pa portier, ku unë e bëra rolin e portierit pasi që ishin të kryera zëvendësimet. I realizuam momentet tona dhe i arritëm vazhdimet, shënuam edhe golin e tretë dhe me një këmbë ishim të kualifikuar. Mirëpo, në dhjetë sekondat e fundit e pranuan një gol për t’u shuar ëndrra europiane”, ka thënë Armend Dallku pas ndeshjes në një prononcim ekskluziv për www.sportal.al.

Përkundër të gjithave, Dallku ndiehet shumë krenar. “Unë si kapiten jam shumë krenar me djemtë e ekipit tim. Luajtëm para 20 mijë shikuesve, treguam lojë shumë cilësore, por ky është futbolli. Jeta këtu nuk përfunduan dhe duhet të shohim përpara”, deklaroi Dallku.

32-vjeçari nga Vushrria që nga viti 2005 është pjesë e Vorsklas. Më parë ka luajtur edhe për Elbasanin, Prishtinën dhe Kosovën e Vushtrrisë. Në 64 ndeshje në fanelën kuqezi, ka realizuar një gol në një ndeshje miqësore ndaj Maltës.