Portieri boshnjak Nurkoviç është gati për Kosovën, ja kur mund të debutojë

Adis Nurkoviç është i gatshëm të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës. Portieri boshnjak, i cili ka luajtur në të kaluarën për reprezentacionin e të rinjve të Bosnje e Hercegovinës, në të ardhmen pritet t’i bëjë konkurrencë Samir Ujkanit, për të parin e portës së ekipit të Albert Bunjakit. Marrëveshja është arritur falë bashkëshortes së tij, e cila me origjinë është nga Kosova shkruan sot Gazeta Zëri.

“Ishte një koincidencë e madhe. Jam martuar dhe gruaja ime është me origjinë nga Kosova. Ky vend është duke e formuar ekipin për kualifikimet e Kampionatit Botëror. Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki është duke e ndërtuar skuadrën dhe është në kërkim të portierëve. Ai i ka përcjellë disa nga ndeshjet e mia”, tregon portieri 30-vjeçar për agjencinë e lajmeve, “Anadolija”.

“Atij i ka pëlqyer se si mbroj dhe më ka thënë se ka marrë informata të bollshme për mua.

Më ka kontaktuar përmes njerkut tim që jeton në Kosovë dhe ka kërkuar të luaj për Kosovën, duke garantuar se do të kryhen të gjitha procedurat burokratike përmes Federatës së Futbollit të Kosovës”, vazhdoi portieri i NK Čelik, në elitën e futbollit boshnjak.

Në dispozicion kundër Kroacisë

Madje, portieri me përvojë shpreson ta bëjë debutimin për Kosovën qysh në ndeshjen e 6 tetorit ndaj Kroacisë, edhe pse është i vetëdijshëm se ka konkurrencë të fortë, pasi përpara tij gjendet kapiteni Samir Ujkani, i cili deri tash ishte i pazëvendësueshëm.

“Pres të luaj qysh në ndeshjen e xhiros së dytë të kualifikimeve për Botëror, në ndeshjen e 6 tetorit në Shkodër të Shqipërisë kundër Kroacisë.

Do ta kem konkurrent të portës, portierin e shkëlqyer të Kosovës, Samir Ujkani. Kështu që, shpresoj të jem në dispozicion të trajnerit Bunjaki në ndeshjen me kroatët”, ka përfunduar Nurkoviç, i cili pritet të bëhet futbollisti i parë i huaj që do të luajë për Përfaqësuesen e Kosovës.

Në ndeshjen historike me Finlandën, Kosova i kishte në dispozicion tre portierë, Samir Ujkanin, Flamur Nezirin dhe Granit Kolshin. Dy të fundit luajnë në kampionatin nacional, derisa i pari në Itali.

Madje, Ujkani nuk e dinte deri në ditën e fundit nëse do të mund të mbronte ndaj finlandezëve apo jo, pasi po e priste lejen nga FIFA.

Në fund, ai e mori dritën jeshile dhe pati paraqitje të shkëlqyer, në barazimin 1:1 në Turku. Tash, Bunjaki dëshiron ta ketë konkurrencën më të fortë në portë dhe për një vend titullari do të luftojnë Ujkani dhe Nurkoviç, së cilëve mund t’ju shtohet edhe një portier nga futbolli kosovar.