Po vjen derbi më i madh në rajon, kapiteni i Gjilanit me një premtim për tifozët

Si çdo skuadër tjetër në elitën e futbollit edhe Gjilani po përgatitet maksimalisht për pjesën e dytë të kampionatit, me pretendime që të janë sa më lartë në klasifikim.

Në fakt, përgatiten edhe për derbin më të madh në vend, kundër Dritës. Kapiteni i skuadrës së Gjilanit, Ylber Kastrati, ka deklaruar se janë përgatitur mjaft mirë dhe qysh sot janë të gatshëm për çdo sfidë. “Jemi në përfundim të përgatitjeve parasezonale dhe kjo fazë ka qenë e ndarë në tri pjesë. Një pjesë e kemi kaluar në bregdet për shkak të përshtatjes së klimës”, thotë Kastrati për “Bota Sot”.

Kapiteni mendon se skuadra e tij do të jetë edhe më e fortë në pjesën e dytë të kampionatit. “Ka ardhje të reja në klub dhe besoj që janë cilësore. Në ekipin tonë është shtuar cilësia dhe konkurrenca”,  theksoi ai, transmeton Gazeta Olle.

Të gjithë janë në pritje apo në drithërimat e derbit më të madh në vendin tonë, mes Gjilanit dhe Dritës. “Nuk do ta kisha quajtur presion,  do e quaj vullnet, motiv, kënaqësi futbollistike dhe mesi presim ta luajmë derbin. Është një ndeshje që për nivelin e Kosovës rrallëherë përjetohet. Jemi të privilegjuar që e luajmë e që e kemi këtë derbi”, shprehet Kastrati.

Një derbi që pritet më kërshëri të madhe dhe faktikisht sjellë emocione. Kastrati është prej futbollistëve që ka luajtur më së shumti në derbin mes Gjilanit dhe Dritës. “Është një hapje dhe një reklamë perfekte e Kampionatit të Kosovës. Në Gjilan era derbi ka filluar që të vije e gjithçka. Në qytet flitet vetëm për derbi, qyteti sportiv i Gjilanit jeton për këtë derbi. Normal këto dhe shumë të tjerë janë faktor motivues”, theksoi ai.