Po të ishte lindur pak orë më herët, Daku s’do mund ta shijonte fitoren ndaj Turqisë

Lojtarët e lindur më 1 janar të vitit 1998 apo më vonë kanë të drejtën të luajnë në kampionatin evropian të Shpresave (U-21) në futboll, që mbahet në vitin 2021 në Hungari e Slloveni.

Edhe në kualifikimet që tashmë kanë nisur, mund të luajnë lojtarët që plotësojnë këtë kriter të moshës. Kosova U-21 e ka një futbollist që për pak plotëson kriterin e moshës për këtë cikël eliminator. Dhe po përfiton shumë prej këtij fakti, shkruan sot Koha Ditore.

Bëhet fjalë për sulmuesin shtatlartë, Mirlind Daku, që është i lindur pikërisht më 1 janar 1998. Daku tashmë është 21-vjeçar, ndërsa synimet e tij, por edhe të tërë gjeneratës aktuale të Shpresave janë për paraqitje në Evropianin që mbahet pas dy vjetësh.

Gjilanasi Daku edhe në të kaluarën ka luajtur për U-21 të Kosovës, por në ciklin e ri po pritet të jetë prej bartësve. Fillimi është premtues.

Kosova U-21 ka pasur një fillim të furishëm në fushatën e re kualifikuese, duke i fituar të dy ndeshjet. Më 6 qershor, Kosova U-21 fitoi 4:0 në udhëtim ndaj Andorrës. Daku kishte startuar në atë ndeshje dhe realizoi njërin prej katër golave.

Ishte zëvendësuar në minutën e 66-të, që të ishte i pushuar për ndeshjen tjetër të Kosovës. Dhe vendimi i trajnerit Rafet Prekazi doli i qëlluar.

Të martën mbrëma, Kosova U-21 luajti në “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndaj Turqisë dhe arriti fitore të madhe, me shifrat 3:1.

Prapë Daku ishte prej lojtarëve vendimtarë, duke shënuar gol të bukur me kokë për rezultatin 2:1. Ishte rrezik i përhershëm për portën turke dhe me angazhim maksimal u shkaktoi jo pak telashe lojtarëve të Turqisë.