Pesë motrat basketbolliste

Miranda 22-vjeçare dëgjonte me vëmendje debatin që kishin nisur dy motrat e vogla, Flaka e Vlera Kelmendi. Po debatonin se kush është më e mirë në basketboll.

Flaka 19-vjeçare insistonte se është ajo më e mirë. Por, i shpejtë ishte reagimi i Vlerës 16-vjeçare, e cila ngulte këmbë se ka më shumë të arritura. Për ta ndalur debatin dhe për të nxjerrë fituesin, ndërhyn motra e madhe Miranda, shkruan sot Koha Ditore. Me kërkim falje iu drejtua Vlerës se Flaka aktualisht është më e mirë.

Vlera nuk u pajtua plotësisht.

“Po, por mos harro se unë jam më e re”, i drejtohet Vlera motrës së madhe. E Miranda pajtohet më atë që dëgjoi nga motra e vogël.

“Po, nëse Vlera vazhdon me këta hapa do të bëhet më e mirë. Është e re dhe ka mundësi ta kalojë”, shtoi Miranda.

Për t’i vënë vulë këtij debati, Flaka pranoi se Vlera mund t’ia kalojë në të ardhmen. Këto lloj muhabetesh nuk janë të rralla në familjen Kelmendi. Të pesë motrat merren me basketboll dhe kanë çka flasin. Natyrisht, frymëzim për të gjitha është motra e madhe, Miranda.