Përzgjedhësi i kurbetit!

‘21-24 Kosove’. Kështu na njofton përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, për kohën kur do të vijë në Kosovë. Kohën se kur do të jetë në vendin tonë, e publikon disa ditë më herët zakonisht në rrjetën social ‘Facebook’.

Derisa në shumicën e vendeve të botën, përzgjedhësit qëndrojnë në vendet në të cilat i drejtojnë, Bunjaku jeton shumë kilometra larg Kosovës, në Suedi. Më 13 janar të këtij viti, Përfaqësueses së Kosovës iu lejuan ndeshjet miqësore nga FIFA. Kosova ndeshjen e parë miqësore do ta luaj ndaj Haitit më 5 mars në stadiumin ‘Adem Jashari’Mitrovicë. Bunjaku nuk e ka ‘gajle’ që ta drejtojë Kosovën edhe nga Suedia. “Tash e pesë vite jam në Kosovë, pothuajse çdo dy javë. E kam banesën në qendër të Prishtinës, ku e kam edhe familjen. Puna ime nuk varet nga principet por nga proceset. Unë jam aty ku duhet dhe kur duhet”, ka deklaruar Albert Bunjaku kohë më parë për mediat vendase. Bunjaku e drejton Kosovën që nga viti 2009.

Ndërkohë, trajneri i suksesshëm kosovar, Afrim Tovërlani, vlerëson se Kosova duhet ta ketë bazën në Prishtinë. “Nëse Kosova pranohet nesër me të drejta të plota, baza e Përfaqësueses do të ishte mirë me qenë në Prishtinë, pra selektori të jetoj në Prishtinë. Unë nuk besoj se selektori e njeh aq mirë kampionatin e Kosovës e dyshoj që i njeh edhe lojtarët që luajnë në kampionate të forta ku jeton atje në Suedi a çka po di unë”, potencoi trajneri i njohur si ‘Toki’ për Gazetën ‘Olle’.

Për çështjen në fjalë, foli edhe ish-futbollisti Arsim Plepolli, i cili mendon më ndryshe nga Tovërlani. “Nuk do të thotë që duhet të jetojë në Prishtinë. Më rëndësi është që ta përcjellë kampionatin. Këtu në Kosovë i ka ndihmësit që mund ta informojnë. Ne nuk kemi shumë kualitet dhe nuk jemi të pranuar. Lojtarët më të mirë te ne i njohin edhe shikuesit”, theksoi ai. Ndryshe, Bunjaku shpesh është kritikuar që nuk po fton aq sa duhet lojtarë nga Kosova në Përfaqësuese.