Përzgjedhësi Arben Krasniqi e lëshon këtë deklaratë para ndeshjes me Bullgarinë

Përfaqësuesja e Kosovës sot, me fillim nga ora 17:00 në Sofje do të përballet me Bullgarinë në ndeshjen e tretë kualifikuese për Eurobasket 2017.

Pavarësisht dy disfatave në dy ndeshjet e para, basketbollistët janë shumë të motivuar dhe atmosfera brenda skuadrës është shumë e mirë, andaj djelmoshat tanë besojnë se të mërkurën do ta bëjnë më të mirën në parket dhe do të dëshmojnë lojë sa më të mirë në duel me bullgarët.

Kosova në ndeshjen e parë në kualifikimet për Kampionatin Evropian ndaj Sllovenisë si mysafire është mposhtur me rezultat 113:68, kurse në takimin e luajtur në fundjavë si nikoqire në “Minatori” të Mitrovicës është mundur nga Ukraina me shifrat 70:63. Kundër ukrainasve, basketbollistët tanë kanë dëshmuar lojë shumë të mirë, ku ishin edhe shumë pranë fitores, por në pesë minutat e fundit doli në pah përvoja e mysafirëve, të cilët falë mbrojtjes së fortë dhe kërcimeve nën kosh ia dolën të kthehen në Ukrainë me fitore.

Bullgaria në dy ndeshjet e para kualifikuese është mposhtur së pari nga Ukraina dhe më pas edhe nga Sllovenia.

“Duhet të mundohemi maksimalisht që të luajmë pa kurrfarë frike dhe pa presion ashtu si në ndeshjen kundër Ukrainës. Ne do të hyjmë në ndeshje për të nxjerrë rezultat sa më të mirë. Basketbollistët kanë pushuar të dielën, kemi stërvitur të hënën në Prishtinë, do të stërvitemi të martën në mbrëmje dhe të mërkurën në mëngjes në Sofje. Nuk kemi problem me lëndime, të gjithë lojtarët janë të gatshëm për ndeshje. Ne e kemi analizuar lojën e Bullgarisë, ata janë një ekip që vrapojnë shumë. E kanë një lojtar shumë të mirë që luan së bashku me Justin Doellman-in te Barcelona e ai është Aleksandar Vezenkov. Për dallim nga Ukraina, Bullgaria nuk ka qendra masive dhe ne do të mundohemi ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë, por edhe përparësitë e tjera që i kemi. Edhe ne i kemi disa mangësi, por po mundohemi t’i eliminojmë nga ndeshja në ndeshje, ende jemi duke u mësuar, të gjithë po mundohemi të bëjmë më të mirën. Në çdo lojë po hyjmë për fitore, ndaj Ukrainës e treguam një fytyrë krejt tjetër dhe do të bëjmë përpjekje të vazhdojmë të përmirësohemi edhe në takimet tjera që na presin. Po mundohemi me ngrit shpirtin e ekipit dhe kur ta bëjmë këtë 100%, atëherë mundemi të presim rezultate pozitive”, ka thënë përzgjedhësi Arben Krasniqi.