Përparim Islami këputë ligamentet, të shtunën futet në operim!

Është konfirmuar lëndimi i mbrojtësit të Feronikelit, Përparim Islami, i cili tashmë e ka humbur pjesën e mbetur të sezonit.

Mbrojtësi 27 vjeçar nga Podujeva pësoi një lëndim të rëndë në duelin e parë të gjysmëfinales së DigitAlb Kupës ndaj Ballkanit në Suharekë, teksa u detyrua ta braktis fushën e lojës pas dhimbjeve të mëdha.

Pas kryerjes së rezonancës magnetike u konfirmua që Islami ka këputur ligamentet e këmbës së djathtë dhe meniskusin, ndërkohë që do të futet në operim të shtunën më 6 qershor.

Njëri ndër alo mbrojtësit më të mirë në vend ndër vite rrëfen për momentet e para të lëndimit, ndërkohë që tentoi të luante edhe pas lëndimit.

“E pash që ishte një lëndim i rëndë që në fillim. Tentova të luaj sërish duke u kthyer në fushën e lojës, por ishte e pamundur, pasi që kisha dhimbje të mëdha”, deklaroi fillimisht Islami për Gazetën “Sheshi”.

27 vjeçari ka konfirmuar se ka këputur ligamentet e këmbës dhe meniskusin në këmbën e djathtë, teksa pritet të futet në operim.

“Kam kryer sot edhe vizitën e dytë mjekësore dhe pas rezonancës magnetike është konfirmuar lëndimi. Të shtunën do të futem në operim dhe shpresoj që do të shkoj gjithçka mirë”, potencoi Islami.

Ky lëndim pritet që ta forcojë edhe më shumë Islamin, i cili njiher si një ndër futbollistët më luftarak në futbollin kosovar.

Ai ka konfirmuar edhe mungesën në fushat e blerta për një kohë të gjatë.

“Nuk e di saktësisht se sa do të jem jashtë fushave, por besoj që do të jem gati para fundit të këtij viti. Do të punoj që të kthehem sa më shpejt që të jetë e mundur dhe për këtë kam besim. Shpresoj që Feronikeli edhe pa mua të arrijë objektivat që i kemi vërë vetës”, përfundoi Islami.

Para se të transferohet te Feronikeli, Islami ishte pjesë e klubeve si Trepça ’89, Hajvalia, Drita, Prishtina dhe Hysi.