Përmbledhje e edicionit të rregullt të ETC Superligës

Edicioni i rregullt në ETC Superligën e Kosovës ka përfunduar të mërkurën, me ndeshjet e xhiros së 28-të, e cila kaloi pa befasi. Në 28 xhirot e zhvilluara adhuruesit e këtij sporti kanë pasur rastin të shohin basketboll cilësor, por edhe ngritje e rënie të formës së skuadrave të tyre të zemrës. Krahas luftës për kreun e tabelës, ku fjalën kryesore e patën Sigal Prishtina dhe Peja një luftë e madhe është zhvilluar edhe për pozitën e katërt në mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës, e cila ta siguron një vend  për në “play-off”, por edhe për mbijetesë, ku Kastrioti është dashur të pajtohet me faktin që në edicionin e ardhshëm të luaj një rang më poshtë, kurse Besa do të luaj në “play-out”. Vlen të theksohet fakti se Trepça për herë të parë pas dy viteve nuk arriti të zë vend në garat shtesë, pozitë kjo të cilën e siguroi debutuesi i elitës së basketbollit kosovar, Golden Eagle Ylli.

Sigal Prishtina (27 ndeshje, 25 fitore e 2 humbje)
Skuadra bardhekaltër e nisi edicionin 2014/15 furishëm, gjë që edhe pritej duke u bazuar në investimet që i kishte bërë para fillimit të stinorit vjeshtor. Kryeqytetasit e zhvilluan një luftë të madhe për kreun e tabelës me rivalin kryesor Pejën. Megjithatë fundi i edicionit e gjeti Sigal Prishtinën në pozitën e parë (me një ndeshje më pak të luajtur, atë kundër Trepçës), me bilanc prej 25 fitore e 2 humbje dhe që të dyja të përjetuara nga verdhezinjtë. Duhet theksuar se ekipi nga kryeqyteti në fazën e parë të edicionit pati paraqitje të mirë, por një gjë e tillë nuk mund të thuhet edhe për fillimin e fazës së dytë. Ndërrimet e basketbollistëve të huaj dhe lëndimi i Dardan Berishës e bën të veten dhe kështu Prishtina u detyrua të pajtohet me faktin se Kupa e Kosovës duhet të shkojë në Pejë, pasi në finalen e madhe të luajtur në Therandë më të mirë ishin verdhezinjtë. 12 lojtarë të huaj i ka paraqitur Prishtina në edicionin 2014/15, ndërsa tani në radhët e saj kanë mbetur 5 prej tyre. Pra baticat dhe zbaticat e kryeqytetasve kanë qenë të lidhura ngushtë me ndërrimet e basketbollistëve të huaj. Sidoqoftë krahas garave në elitën e basketbollit kosovar, Prishtina ka përjetuar rritje graduale të formës edhe në Ligën Ballkanike (BIBL), ku edhe është plasuar në finale dhe do të përballet me ekipin e Rilski Sportist nga Samokovi i Bullgarisë.
Prishtina në këtë fundjavë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të “play-off”-it është nikoqire e Golden Eagle Yllit.

Peja (28 ndeshje, 25 fitore e 3 humbje)
Klubi verdhezi ashtu edhe siç ka paralajmëruar se do të jetë rivali më i madh i Sigal Prishtinës ashtu edhe ka ndodhur. Ndonëse në fillim të edicionit Peja nuk ka qenë në formën e lartë, megjithatë nga ndeshja në ndeshje e ka ngritur atë, por më pas nga radhët e saj u larguan dy basketbollistët kyç të kësaj skuadre, Samir Shaptahoviq dhe Gerti Shima. I pari u pensionua dhe u largua në drejtim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u bashkuar me familjen e tij dhe i dyti vendosi të kthehet në Shqipëri. Përveç kësaj Peja nuk dallon shumë nga Sigal Prishtina në ndërrimet e lojtarëve të huaj meqë te ky klub kanë defiluar 11 prej tyre, ndërsa tashmë në gjirin e saj numri i tyre është 5. Pavarësisht këtyre gjërave skuadra pejane arriti që ta fitojë Kupën e Kosovës, ndërsa në Ligën Ballkanike (BIBL) shkoi deri në gjysmëfinale ku u eliminua nga Rilski Sportist.
Peja në takimin e parë gjysmëfinal të garave shtesë është nikoqire e Bashkimit.

Kosova e Re Bashkimi (28 ndeshje, 17 fitore e 11 humbje)

Me paraqitjen në ndeshjen e Salamander Superkupës së Kosovës që tradicionalisht zhvillohet para fillimit të edicionit të ri, Kosova e Re Bashkimi la shenja se do të jetë një “arrë e fortë” për skuadrat kryesore pretendonte për trofe. Prizrenasit në Salamander Superkupën e Kosovës i bënë ballë maksimalisht Sigal Prishtinës, por në fund ky trofe shkoi në kryeqytet. Pas këtij dueli të gjithë menduan se Kosova e Re Bashkimi do të vazhdoj me këtë formë, por kjo nuk ndodhi pasi gjatë edicionit të rregullt kjo skuadër pati edhe dilema për vendin e tretë, por më pas ia dolën që ta ruajnë atë dhe kështu në garat e “play-off”-it do të startojnë nga kjo pozitë dhe do të takohen me Pejën, e cila skuadër e ka mposhtur katër herë gjatë edicionit të rregullt.
Golden Eagle Ylli (28 ndeshje, 15 fitore e 13 humbje)
Epiteti i befasisë për edicionin e rregullt në elitën e basketbollit kosovar padyshim se i takon skuadrës nga Theranda, Golden Eagle Ylli, e cila përveç se e siguroi pozitën e katërt në tabelë ajo u dëshmua rival i denjë për të gjithë kundërshtarët, përfshirë këtu edhe Sigal Prishtinën, Pejën e Bashkimin. Në fakt një herë bardhekaltërve u bënë rezistencë të denjë, por në fund u desh të pajtohen me humbjen me një pikë dallim, derisa pejanët ia dolën t’i mposhtin një herë gjatë kësaj faze, gjë të cilën e bënë edhe me ekipin prizrenas.
Në gjysmëfinale të garave shtesë Ylli do të ketë punë të madhe pasi përballë e ka Prishtinën që aktualisht është duke e përjetuar formën më të mirë të mundshme.
Trepça, Vëllaznimi, Besa, Kastrioti

Mitrovicasit edhe pse në fillim të edicionit u mendua se do të jenë të paktën pretendentë për një vend në “play-off” kjo gjë nuk u bë realitet. Arsyet janë të shumta, por ndër kryesoret është mungesa e palestrës, pasi “Minatori” ende është në rinovim e sipër.

Gjakovarët e nisën me eufori edicionin, por ajo u shua dalëngadalë. Vëllaznimi pati ndërrime të shumta në lojtarë të huaj dhe vendorë, por edhe në shtabin teknik. Mirëpo në fund ia dolën ta sigurojnë mbijetesën.

Klubi i dytë nga Peja ndërroi 10 basketbollistë të huaj dhe edicionin e përmbylli vetëm me 2 prej tyre. Besa do të luftojë për një vend në elitë me finalistin e “play-off”-it të Ligës së Parë A.

Ferizajasit kur e filluan edicionin me siguri se nuk e kanë menduar rënien nga elita, por kjo gjë ishte e pashmangshme për ta. Bilanci prej 3 fitore e 25 humbje, 2 fitore më pak se Besa ia vulosi rënien nga ETC Superliga.