Përçarjet e fundit në FFK shkaktojnë ndasi edhe në klube, Onixi shkarkon Muhedin Feratin, që i dha nënshkrimin grupit të Gramoz Vokrrit

Përçarjet e fundit që ndodhën në Federatën e Futbollit të Kosovës, ku një grup jashtë federatës, i doli në përkrahje Gramoz Vokrrit, kanë lënë pasoja edhe tek klubet.

Grupi që përkrahu djalin e legjendës Fadil Vokrri, nisi mbledhjen e nënshkrimeve, të cilat duket se nuk e arritën qëllimin e 34 nënshkrimeve, aq sa duhet për të kërkuar Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FFK-së, për shkarkimit e kryetarit aktual të FFK-së, Agim Ademi.

Viktimë e nënshkrimeve ka rënë edhe ish-gjyqtari i mirënjohur, Muhedin Ferati, i cili ishte delegat i klubit të Ligës së Parë, Onix. Përkrahja e tij për Gramozin, ka bërë që kryesia e klubit, që përkrahë Agim Ademin, ta shkarkojë nga kjo pozitë Feratin.

Madje, Gazeta Olle mëson se Ferati kishte vepruar kundër vullnetit të klubit të Onixit, duke dhënë nënshkrimin për shkarkimin e Ademit, ndërsa klubi kishte dalë me vendim pro kryetarit të tanishëm të FFK-s.

“Më kanë larguar nga puna e delegatit të kuvendit të klubit të Onixit, për shkak se nuk kam nënshkruar votbesimin për kryetarin e tanishëm të FFK-së, Agim Ademi. Arsyeja se pse nuk kam nënshkruar është sepse Ademi më ka premtuar një vend në një komision, por këtë nuk e ka bërë”, u shpreh Ferati për Gazetën Olle.

“Unë nuk e mbështeti Agim Ademin, unë jam në përkrahje të Gramoz Vokrrit”, ka shtuar Ferati.

I pyetur nëse ka dhënë nënshkrimin për shkarkimin e Ademit, ai përgjigjet. “E kam nënshkruar iniciativën në përkrahje të Gramoz Vokrrit, sa kam qenë delegat legjitim, pra para se të më shkarkonin”.

Sipas Feratit, Komisari i Garave në FFK, Ismet Ahmeti ka dalë të mbledhë nënshkrime pro Agim Ademit.

Klubi i Onixit përmes një njoftimi për media kishte dalë publikisht në përkrahje të numrit një të FFK-së. “Kryesia e klubit K.F.Onix në mbledhjen që u mbajt me daten 09.03.2019 vendosi unanimisht që te mos i përkrahë disa lëvizje të dëmshme për futbollin tonë. Ne e përkrahim kryetarin e zgjedhur Agim Ademi, ndërsa këta njerëz që mbledhin vota mbrenda natës për t’ja ndalur hovin futbollit tonë, që po shkojnë me hapa të sigurtë nuk i përkrahim”, thuhet në njoftimin e Onixit.

Pro largimit të Ademit kishte dalë hapur klubi i Llapit, pjesë e të cilëve Gazeta Olle mëson se është edhe ish-pronari i klubit të Hysit, Hysen Sadiku. Ferati në kohën sa ishte gjyqtar njihej për afërsinë që kishte me Hysin gjatë ndarjes së drejtësisë, madje duke u bërë njëri nga “sebepët” që Hysi ishte bërë kampion në vitin 2011.