Për herë të parë në Kosovë organizohet konferenca për mjekësi sportive dhe anti-doping, shikoni vlerësimet

Federata e Futbollit të Kosovës ka organizuar sot Konferencën e parë për mjekësi sportive dhe anti-doping.

Në këtë konferencë ku do të ligjërojnë profesorë ndërkombëtarë, po marrin pjesë të gjitha ekipet mjekësore të Kombëtareve, mjekët e klubeve të Vala Superligës dhe Ligës së Parë të Kosovës.

Kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, ka thënë se mjekësia është pjesë e sportit dhe mjaft e rëndësishme, si për shëndet ashtu edhe për lëndime të ndryshme, shkruan Gazeta Shneta.

“Në sportet tjera këto vitet e fundit ka pas shumë raste të cilat janë evidentuar dhe sanksionuar për doping, kurse në futboll ka pas shumë pak raste për çka mund të krenohemi. Preventivat janë gjithmonë të mirëseardhura dhe duhet të punojmë në këtë drejtim”, ka deklaruar Vokrri.

Konferencën e ka përshëndetur edhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Granit Abdullahu. Ai ka ofruar përkrahje për mjekësinë sportive, ndërsa Bordi për Edukim të Vazhdueshëm e ka akredituar konferencën me 10 pikë.

Vokrri

Konferencën e ka përshëndetur edhe një përfaqësues nga UEFA, i cili e ka konsideruar si një hap të madh drejt thellimit të bashkëpunimin ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe organizatës evropiane.

Ligjëratën e parë e ka mbajtur Bekim Haxhiu, i cili ka folur për themelimin e mjekësisë sportive në Kosovë nga Dr. Bashkim Islami.

Qendra Kombëtare e Mjekësisë Sportive në Prishtinë është institucion publik shëndetësor, i cili bënë pjesë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar.

Ligjërata për lëndimet sportive ka mbajtur profesori John MacLean, ndërsa për anti-dopingun ka folur Richard Grisdale.