Penza – Penti Prishtina, finalja e femrave në basketboll

Penza dhe Penti Prishtina kanë triumfuar edhe në ndeshjet e dyta gjysmëfinale të play-off-it në Ligën e Femrave në basketboll dhe kështu janë plasuar në finale.

Penza në fundjavë e ka mposhtur Vllaznimin e Gjakovës me rezultat 70:37 në ndeshjen e luajtur në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, ndërsa Penti Prishtina ishte skuadër më e mirë se Trepca të cilën e mposhti në “Minatori” me shifrat 57:51.

Ndeshja e parë finale do të zhvillohet në këtë fundjavë në Pejë, kurse skuadra që realizon dy fitore do të shpallet kampione e Kosovës.

Kampione në fuqi janë basketbollistet bardhekaltra, të cilat në muajin shkurt janë stolisur me Kupën e Kosovës duke e mposhtur pikërisht në finale Penzën.

Rivaliteti ndërmjet këtyre dy skuadrave që ka mbizotëruar në disa vitet e fundit garanton sërish ndeshje të forta dhe luftë të madhe në parket nga të dyja taboret.