Pensionohet Sejdiu

Nga tash e tutje, emri i tij nuk do të figurojë më nëpër protokollet e ndeshjeve të futbollit kosovar. Arsyeja është kjo: Isuf Sejdiu pensionohet nga futbolli aktiv.

Kësisoj, sulmuesi mitrovicas ka marrë vendim që t’i japë fund karrierës si futbollist. Ish-futbollisti i disa skuadrave kosovare, së fundmi i Trepçës, pohon se ky ka qenë vendimi më i vështirë në jetë.

“Sot kam marr vendimin më të vështirë në jetë, të largohem nga futbolli aktiv. I falënderoj të gjithë trajnerët, bashkëlojtarët që më kanë përkrahur në karrierën time e posaqërisht tifozerinë më të madhe, “Torcida” që si në ditë të mira si në të këqija kanë qenë motiv shtesë për mua”, ka deklaruar Sejdiu për Gazetën Sheshi.

Sejdiu karrierën si i ri e nisi te Trepça ’89 për të qenë edhe pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U-15 dhe U-16, duke qenë njëri nga talentët më premtues, por më pas një lëndim e la shumë prapa.

Gjithsesi, ai arriti të kthehet për t’iu bashkuar Trepçës, pastaj luajti edhe në Besianë, Ballkan, Ulpianë e Vëllaznim për ta përfunduar karrierën te Trepça, por jo i fort si dikur.

Sejdiu aktualisht është 27-vjeçar, derisa nga arsyet që e merr këtë vendim janë lëndimet e shumëta që ia kanë pamundësuar shpërthimin në futbollin evropian.

Tashmë ish-sulmuesi është i biri trajnerit të Besës, Gani Sejdiut.