Pas dëshmive të Canës dhe De Biasit, radha është për serbët

Pas dëshmive të kapitenit Lorik Cana dhe trajnerit të Kombëtares, Gianni De Biasi, në radhë për të folur janë edhe drejtues të federatës serbe, duke nisur nga sekretari i përgjithshëm Zoran Lakoviç, shefi i sigurisë në federatën serbe Milivoj Mirkov, si dhe shefi i personelit të sigurisë të stjuartëve në stadiumin “Partizani” të Beogradit dhe kapiteni i Serbisë, Branislav Ivanoviç.

Më pas, të thërritur nga pala shqiptare, do të flasin para gjykatës ekspertë të të mirënjohur dhe nga më të zotët në arenën ndërkombëtare, Prof. Sebastien Besson, i specializuar në çështjet e arbitrazhit, profesor në universitetin e Neuchatel që konsiderohet si lideri i brezit të ardhshëm të jurisprudencës zvicerane dhe Prof. Dr. Alain Macaluso, një tjetër emër i madh i së drejtës ndërkombëtare, lektor në universitetin e Lozanës, shkruan ‘Sportal.al’.

Pas tyre, para panelit do të paraqiten pretendimet përfundimtare të të dy palëve, ndërsa  axhenda e Gjykatës së Arbtitrazhit Sportiv përcakton një seancë të gjatë, që përfundon pas orës 18.00.

Në delegacionin shqiptar, duke nisur që nga ekspertët, presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe gjithë stafi, kanë shfaqur besim të madh për të fituar çështjen në Gjykatën e Lozanës edhe pse nuk pritet që organi më i lartë i drejtësisë sportive të marrë një vendim që këtë të premte.