Partizani nuk lejohet të hyjë në Kosovë, Policia jep arsyet e kthimit të tyre

Gjatë ditës së sotme, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë ndalur autobusin e klubit basketbollistik serb, Partizani.

Më pas, zyrtarët e klubit serb konfirmuan se ishin nisur në Kosovë me qëllimin për t’i mbështetur protestat kundër taksës 100%.

Tutje, ata kishin planifikuar që të zhvillonin një ndeshje basketbolli me klubin nga Veriu, ”Trepça”, transmeton IndeksOnline.

E në lidhje me këtë rast, tani ka reaguar edhe Policia e Kosovës, e cila përmes një komunikate për media, ka sqaruar këtë rast.

Njoftimi i plotë nga Policia e Kosovës:

”Policia e Kosovës, në pikë kalimin kufitar Jarinje, sot rreth orës 11:40/45 ia ka refuzuar hyrjen një veture me targa “BG”, në të cilën gjendeshin një zyrtar dhe tre persona të tjerë, si dhe një autobusi po ashtu me targa “BG”, i cili kishte ardhur nga Serbia në drejtim të Republikës së Kosovës (RKS).

Personit zyrtar dhe shoqërueseve të tij me veturën Audi me targa “BG”, iu është refuzuar hyrja në Republikën e Kosovës, pasi që të njëjtit nuk kanë poseduar leje për hyrje nga Ministria e Punëve të Jashtme e RKS-së.

Po ashtu autobusi i cili kishte ardhur nga Serbia në drejtim të RKS-së, në të cilin kanë qenë klubi i basketbollit “Partizani i Beogradit”, iu është refuzuar hyrja pasi të njëjtit nuk kanë poseduar leje për hyrje nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (Federata e basketbollit të RKS-së).

Pas sqarimeve dhe informacioneve zyrtare që iu janë dhënë, të njëjtit janë kthyer në drejtim të Serbisë”.