Partizani ndalet në barazim ndaj Kastriotit

Kastrioti dhe Partizani e mbyllën në një barazim 1-1 sfidën e xhiros së 30-të në Superligën e Shqipërisë, të luajtur në “Redi Maloku”.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, dhe me pak raste nga të dyja skuadrat. Në sy ra një gol i anuluar ndaj Hilës në minutën e 13-të, ku ai u gjend në pozicion jashtë loje.

Më pas, fillimi i të dytës ishte i çmendur. Mensah zhbllokoi shifrat në minutën e 55-të, pas një topi të mbetur në zonë nga goditja e dënimit, por vetëm 3 minuta më pas, Shehu barazoi rezultatin, ku në zhvillimet e një goditje këndi, topi mbeti në zonë dhe nuk fali pranë Alban Hoxhës.

Për Partizanin gjithçka u bë akoma më e vështirë vetëm 60 sekonda më pas, ku Lum Rexhepi u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, dhe për pasojë me të kuq.

Deri në fund, Kastrioti u mundua të shënojë golin e dytë, ndërsa Partizani po menaxhonte rezultatin, dhe kështu u mbyll në barazim.

Me këtë barazim, Partizani shkon në kuotën e 61 pikëve në vendin e parë, ndërsa Kastrioti në vendin e 9-të me 31 pikë.