Partizani i Tiranës sot prezanton Bledar Hajdinin

Merkato e Partizanit nis nga porta. Kampionët e Shqipërisë kërkojnë që të forcojnë sa më shumë skuadrën në prag të sezonit të ardhshëm dhe konsolidimi i portës shihet me mjaft interes.

Përforcimi i parë që do i bashkohet të kuqve vjen nga Kosova. Burime për “Newsport.al“, pohojnë se kryeqytetasit kanë arritur akordin me ish-gardianin e kombëtares kosovare, Bledar Hajdini. Kosovaro-gjermani e mbylli sezonin e shkuar në Superligën kosovare me Ballkanin, teksa ditën e sotme do të nis një aventurë të re me kampionët e Superligës shqiptare, përcjell Gazetaolle.com.

Hajdini vjen të vishet “dem” pas skadimit të kontratës me Ballkanin dhe pritet të jetë një rival i fortë për Alban Hoxhën për të zënë vend në katërkëndëshin e të kuqve. 24 vjeçari është aktivizuar me shumë skuadra në Kosovë, si Trepçe 89, Llapi apo dhe Prishtina, por edhe me kombëtaren kosovare.