Partizani degradon keq Mazrekajn

Një nga mesfushorët më të mirë te skuadra e Partizanit, por edhe në Kategorinë Superiore, Mentor Mazrekaj, nuk po kalon një formë aspak të mirë te skuadra e Partizanit.

Futbollisti, i cili bëri një operacion sezonin e shkuar futbollistik, duhet të ishte gati për Kupat e Europës, por një gjë e tillë nuk ndodhi, edhe pse ishte i rikuperuar plotësisht.

Madje, kohë më parë, u fol edhe për një largim të tijin nga të kuqtë, por klubi zyrtarisht e ka mohuar një gjë të tillë. Ndërsa justifikimi zyrtar përse futbollisti nuk merr pjesë në stërvitje është se ai vazhdon të jetë në fazë rikuperimi.

Por, burime të besueshme pranë klubit kryeqytetas kanë konfirmuar se Mazrekaj është “përjashtuar” nga ekipi. Një gjë e tillë nuk ka ardhur nga trajneri Sormani, i cili nuk ka punuar asnjëherë me lojtarin, por nga ndihmësit bashkëpatriot të tij.

Lojtari stërvitet i vetëm, ose thënë më mirë vrapon te kodrat e Liqenit Artificial dhe nuk merr pjesë në asnjë analizë të ekipit, gjë e cila nuk është aspak normale.

Një gjë e tillë ka bërë që gjendja psikologjike e lojtarit të rëndohet jo pak dhe burime pranë tij këtë herë flasin për një largim të mundshëm pa kthim.

Mesfushori, që ka mbajtur një peshë të madhe në formacionin e Partizanit sezonet e fundit, është edhe një nga lojtarët e preferuar të presidentit Demi.

Gjithsesi, do të mbetet për t’u parë në ditët në vijim e ardhmja e mesfushorit, i cili ka pasur herë pas here oferta të ndryshme nga shumë klube të Kategorisë Superiore.

Madje, nuk përjashtohet mundësia që ai në ditët e fundit të merkatos të dalë i lirë, duke parë situatën që po kalon.