Panucci afër të bëhet trajner i skuadrës së madhe shqiptare

Aventura Christian Panuccit në bankinën e Kombëtares së Shqipërisë ishte zhgënjyese, por trajneri italian mund të ketë një tjetër eksperiencë me shqiptarët në karrierën e tij, megjithëse jo të drejtpërdrejtë.

Aktualisht, tekniku është i pa punë, ndërsa mediet e Maqedonisë së Veriut e vendosin emrin e tij në listën e kandidatëve për të marrë drejtimin e Shkëndijës së Tetovës.

Lajmi u publikua në fillim nga “sportmedia.mk” dhe më pas u shpërnda me shpejtësi. Duke qëndruar në atë që raportojnë mediet lokale, Panucci ka marrë një ofertë të rëndësishme nga klubi tetovar, e cila vjen në të njëjtën kohë, kur flitet edhe për një ofertë tjetër në drejtim të italianit nga grekët e Aris të Selanikut. Pikërisht, nëse dështon pista e kampionatit helen, atëherë ish-tekniku i kombëtares shqiptare mund të afrohet më shumë me Shkëndijën. Kjo e fundit ende nuk e ka gjetur trajnerin e ri, që pas largimit nga detyra të Qatip Osmanit. Drejtuesit e klubit kanë një listë të gjatë kandidatësh, ndërsa pak kohë më parë në skenë doli edhe emri i teknikut të Skënderbeut, Ilir Daja.