Palestrat si frigoriferë, si të stërvitesh në këso kushte

Kampioni vjeshtor, Prishtina Volley-M, përgatitet për pjesën e dytë të kampionatit të Superligës së Kosovës në volejboll, me pretendime që të luftojnë për trofe.

Kryetrajneri i skuadrës kryeqytetase, Xhavit Kajtazi, tha se atmosfera është shumë e mirë brenda kolektivit, por barrierë e madhe për ta janë temperaturat e ulëta që po mbretërojnë në këtë kohë, sidomos brenda palestrës, transmeton Gazeta Olle.

“Bota sot”: Prishtina Volley –M përgatitet për pjesën e dytë të kampionatit, cila është atmosfera dhe sa po ndikojnë temperaturat?

Xhavit Kajtazi: Prishtina Volley-M do të paraqitet në garat e stinorit pranveror me shumë vështirësi. Kemi hequr të zitë e ullirit sa i përket sigurimit të palestrës për stërvitje. Pikërisht në saje të kësaj, kemi punuar pak dhe kjo është arsyeja që ne si skuadër që e mbyllëm vjeshtën pa asnjë humbje, në garat vijuese të kemi telashe. Atmosfera është e mirë si gjithnjë. Temperaturat e ulëta kanë qenë barrierë e madhe për ne, sepse ka qenë e pamundur që të stërvisim në palestrat e shndërruar gjatë këtij dimri në frigoriferë.

“Bota sot”: A mendoni se pranvera do të jetë shumë më e nxehtë në luftë për titull?

Xhavit Kajtazi: Pranvera do të jetë shumë interesante, rivalizuese dhe e paqartë deri në fund. Skuadrat, pothuajse të gjashtat e përfundimtares, janë konkurruese për titull, por shumë më përpara janë Luboteni, Theranda, mbase edhe ne…

“Bota sot”: Prishtina investon në brumë të ri, në prodhim vendorë, a është kjo bazë e fortë e të ardhmes?

Xhavit Kajtazi: Kjo është e saktë, por dallimin e bëjnë përforcimet e skuadrave tjera që po marrin emra nga jashtë dhe po u mjafton të fitojnë titujt dhe trofetë. Unë mendoj se skuadrat që marrin përforcime nga jashtë duhet që ato ti marrim që në stinori vjeshtor, sepse në këtë mënyrë po u bëhet padrejtësi.

“Bota sot”: Cilat skuadra i sheh konkurrente për titull?

Xhavit Kajtazi: Konkurrues kryesor për titull është Luboteni. Skuadrat e tëra do të përpiqen të tejkalojnë veten e tyre për ndonjë renditje sa më të mirë.

“Bota sot”: A mendoni se volejbolli po rritet me lojtar të rinj dhe me cilësi?

Xhavit Kajtazi: Sa i përket të rinjve, do të kisha pasur shumë dëshirë që ata të përfshihen sa më shumë në skuadrat e seniorëve. Mirëpo po duket se titulli na ka joshur më shumë se sa ardhmënia e volejbollit. Po duket se skuadrat tona nuk po kanë durim për t’iu kthyer së ardhmes dhe po duan të luajnë sot për nesër.