Pacolli: Hajvalia arriti dje dy fitore

Në klubin e Hajvalisë dje është ndërruar trajneri.

Mentor Miftari është larguar nga pozita e trajnerit, për t’ia lënë vendin Ismet Munishit, i cili rikthehet në këtë post pas disa muajsh.

Hajvalia e nisi dobët kampionatin duke pësuar humbje në dy xhirot e para, por drejtori sportiv Xhavit Pacolli, mbetet me shpresë se Hajvalia do të këndellet. “Dje arritëm dy fitore. Së pari shënuam fitore në një ndeshje miqësore me ekipin e femrave ndaj 13 Qershorit. Ndërsa fitorja e dytë është rikthimi i trajnerit Ismet Munishi. E kemi parë të arsyeshme si klub që pas dy humbjeve në kampionat, është e domosdoshme ta sjellim një trajner si Ismet Munishi. Duhet pasur parasysh faktin se kemi lojtarë shumë të mirë në ekip dhe besojmë shumë në suksese”, ka thënë Xhavit Pacolli për Gazetaolle.com.