Pa trajner dhe vetëm me 10 lojtarë, kjo është gjendja aktuale e Skënderbeut

Prishen të gjitha planet për të rikthyer Ilir Dajën në pankinën e Skënderbeut.

Pakti që ai kishte bërë me drejtuesit e klubit korçar për të qenë trajner i korçarëve nëse KAS rrëzonte vendimin e UEFA-s, tashmë bie përfundimisht.

Pas largimit të Orges Shehit, drejtuesit lanë gjithçka pezull, pikërisht prej vendimit të KAS-it.

Në këtë periudhë klubi i Skënderbeut kishte arritur në parim marrëveshjet për rinovim të kontratës edhe me kapitenin Marko Radas dhe mesfushorin Gjergji Muzaka.

Mirëpo, tashmë që KAS la në fuqi vendimin, situata ndryshon dhe të dy lojtarët pritet të shohin të tjera alternativa, pavarësisht se kishin bërë një pakt me presidentin Takaj.

Madje, ky i fundit kishte konfirmuar se në muajin gusht do të rikthehej te Skënderbeu edhe Kristi Vangjeli, i cili aktualisht luan në Australi me klubin Adealaide Olimpik.

Tashmë te korçarët mbizotëron frika për vazhdimësinë, në një kohë që klubi nuk ka ende një plan.

“Panorama Sport” mëson se zyrtarisht janë vetëm 10 lojtarë nën kontratë të mbetur nga sezoni i kaluar, pikërisht Mario Dajsinani, Kaba Sambou, Jorgo Pëllumbi, Leonit Abazi, Enes Isufi, Bruno Dita, Uerdi Mara, Shqiprim Taipi, Nazmi Gripshi, Dejvi Bregu, Oto Xhon dhe Blerim Krasniqi.