Pa para drejt Evropës

Kur kriza ekonomike ua vështirëson frymëmarrjen edhe sporteve më të mëdha të Kosovës, atëherë paramendojeni volejbollin se çka heq nga ky fenomen. Për ta pasqyruar pastër situatën është “përkujdesur” Prishtina Volley, e cila arriti deri te Kupa e Kosovës, pa asnjë cent! Kjo është gjendja e volejbollit kosovar në prag të daljes në arenën ndërkombëtare

Kanë kaluar shumë vite, gjatë të cilave volejbolli kosovar është ballafaquar me vështirësi të natyrave nga më të ndryshmet. Dhe, telashet e njëjta po vazhdojnë ta përcjellin këtë sport edhe në kohën kur ndërkombëtarizimi i tij besohet të jetë afruar.

Thuhet se në pyetje janë disa javë deri te ndërkombëtarizimi i Volejbollit, gjë që tashmë e kanë bërë shumica e sporteve tjera të Kosovës. Por, gjendja e vështirë brenda kufijve të Kosovës vështirë se do ta lë volejbollin t’i dijë lezet ndërkombëtarizimit.

Aktualisht, problemi më i madh që po e mundon këtë sport është kriza e madhe financiare. Derisa i njëjti problem po i sfidon me të madhe edhe sportet më kryesore, si futbollin apo basketbollin, sigurisht se mund ta paramendoni volejbollin çka është duke hequr nga ky fenomen.

Situatën financiare në volejbollin kosovar më së miri e pasqyron Prishtina Volley, skuadër kjo e Ligës së Parë, e cila nuk numëron më shumë sesa katër ekipe. Ky klub ende nuk i ka mbushur një vit nga themelimi, ndërsa të premten arriti ta fitojë Kupën e Kosovës përballë skuadrës së Superligës, Therandës.

Dhe, deri te ky sukses prishtinasit kanë arritur nëpërmjet një mënyre të jashtëzakonshme. Djelmoshat e Xhavit Kajtazit arritën deri te trofeu i çmueshëm, duke luajtur pa pagesë. Andaj, vetë trajneri i njohur e konsideron këtë ecuri si diçka të veçantë në karrierën e tij dhe të volejbollistëve të ekipit kaltërebardh.

“Për mua kjo ka qenë përvoja më e madhe dhe më e rëndësishme në karrierën time 40-vjeçare në sportin e volejbollit dhe pa dyshim trofe më i rëndësishëm në karrierën time, por edhe për lojtarët tjerë, për arsye se komplet skuadra ka vendosur që këtë projekt ta realizojë pa para”, ka deklaruar Kajtazi, shkruan Zëri.

Andaj, ai thotë se të arrish deri te Kupa shtetërore pa para në këtë shekull, është diçka e pazakontë. “T’i thuash sot dikujt, në shekullin 21, se një kësi projekti mund të realizohet edhe pa para, kjo është mbase edhe anakroizëm, mirëpo ne e arritëm falë punës, punës dhe vetëm punës. Kjo na solli deri te ky sukses”, ka theksuar Kajtazi.

Ylli shqiptar luan pa para

Adriatik Kajtazi vlerësohet si njëri prej volejbollistëve më të mirë që ka pasur Kosova në periudhën e pasluftës. Ai dhe Gazmend Husaj janë të vetmit që kanë dalë nga Kosova për të luajtur në liga të forta të huaja. Ndërsa, sot edhe Adriatiku, sikurse shokët e tij, luan pa para për Prishtina Volley, për të cilin ekip ka refuzuar edhe oferta të mira. Ndërsa, krejt sakrifica iu shpagua me një trofe, përkatësisht me Kupën e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, 28-vjeçari ndihet krenar që përvojën e tij ndërkombëtare po mundohet t’ua dhurojë shokëve të tij më të rinj në Prishtina Volley, me të cilët të premten e kremtuan fitoren në finale të Kupës së Kosovës. Por, Adriatiku thotë se dikush duhet t’i dalë në ndihmë këtij ekipi, i cili tash për tash “nuk e di çka është paraja”.

“Eksperiencën që e kam fituar jashtë, po mundohem ta përcjelli këtu te këta djem të rinj, që kanë potencialë të madh, por që kanë nevojë për mbështetje. Duhet të ndihmohemi”, ka deklaruar Adriatik Kajtazi, shqiptari i rrallë me të arritura të mëdha në volejbollin ndërkombëtar. Ai qysh në vitin 2008 iu kishte bashkuar Kombëtares së Shqipërisë. Ai ka luajtur edhe në Maqedoni, Shqipëri, Zvicër e madje edhe në Katar.