Oto John: Kisha shumë oferta, por ja pse rinovova me Skënderbeun

Oto John është futbollisti i fundit që është “blinduar” nga Skënderbeu.

Edhe pse zërat që e largonin nga Shqipëria ishin të shumtë që pas mbylljes së kampionatit, presidenti Ardjan Takaj arriti që ta bindte.

Nigeriani e zgjati kontratën e tij për dy sezone të tjera, duke dëshmuar edhe një herë cilësitë që mbart, por edhe pritshmëritë e mëdha që klubi ka karshi tij.

Drejtuesit e konsiderojnë si një element që mund t’u bëjë punë për sezonin e ri, por edhe që mund të “gjenerojë” parà në rast se e shesin diku jashtë.

Konfirmimi

Vetë lojtari ka konfirmuar rinovimin e kontratës me bardhekuqtë, duke treguar për “Panorama Sport” edhe arsyet që e çuan në këtë konkluzion.

Edhe pse CAS e ka shtyrë vendimin dhe në Korçë mbeten ende pezull, nigeriani rrëfen se ka marrë garanci që përgjigjja do të jetë pozitive, ndaj edhe nuk u mendua dy herë për të zgjatur marrëveshjen.

“Po, mund të konfirmoj se jam lojtar i Skënderbeut edhe për dy sezonet e ardhshme. Ka qenë një akord i arritur me klubin pak ditë më parë, duke e mbyllur kështu çështjen e rinovimit të kontratës sime”.

“Të them të drejtën, ofertat kanë qenë prezente gjatë gjithë kësaj kohe, por besoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë. Tashmë, dihet potenciali dhe emri i këtij ekipi, ndaj nuk u mendova dy herë. Ka qenë një akord i arritur në shumë pak kohë bisedimesh, pasi ndihem mirë në këtë ekip dhe në qytetin e Korçës”.

“Këto ishin arsyet që më bënë të vendosja për të rinovuar kontratën me Skënderbeun. Plus kësaj, klubi arriti të më bindë falë projektit dhe idesë së klubit për të ardhmen”.

“Më dhanë besim dhe optimizëm se gjithçka do të vijojë më së miri pas vendimit që do të dalë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë dhe kjo ishte mjaft e rëndësishme dhe domethënëse”, tha fillimisht sulmuesi.