Osmani: Prishtinën e mundëm ashtu siç na mundi në Mitrovicë

Trepça ’89 është kualifikuar në gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës, pasi e mposhti Prishtinën, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

Trajneri i skuadrës mitrovicase, Sabit Osmani është shprehur shumë i kënaqur me kualifikimin.

“Nuk është befasi kur Trepça ’89 fiton ndaj Prishtinës, por si duket na kanë nënçmuar për shkak të situatës në të cilën jemi në tabelë”, ka thënë Osmani për Super Sport Kosova.

“Kemi aplikuar taktikë për të arritur sukses, pra me kundërsulme, ashtu siç na mposhti Prishtina në Mitrovicë. Sidoqoftë, djemtë treguan në paraqitje fenomenale dhe jam i kënaqur me atë që treguan sot, duke përfshirë edhe përforcimet që i kemi bërë”, ka shtuar Osmani.

Në vikendin e ardhshëm Trepça ’89 udhëton drejt Ferizajt për tu përballur me ekipin e Bylbyl Sokolit në kuadër të javës së 18-të të Ipko Superligës.