Agim Binaku, ‎1955 – 2018

Bëhesha gati për një shkrim lidhur me dy vjetorin e pranimit të Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës në Asociacionin Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë.

Duke rreshtuar shkronjat një nga një për punët e realizuara deri në pranim, por edhe përgjatë këtij dy vjeçari, nuk ishte e mundur pa kujtuar, ngjarjet dhe njerëzit që kontribuuan për këtë institucion.

Mirëpo shkrimi mbeti në plan të dytë, pasi një nga njerëzit tanë, shpejt u nda nga ne dhe iku në botën tjetër.

Miku, kolegu, gazetari i sportit për më shumë se katër dekada, e parasëgjithash ish-kryetari i institucionit në fjalë, Agim Binaku, të premtën ndërroi jetë, duke mos arritur ti gëzohet pensionit edhe pse ai kurr në jetë, nuk preferonte ti ndahej gazetarisë, të cilës i’a kushtoj një jetë të tërë e madje kishte plane t’ia kushtonte edhe një kohë bukur të gjatë.

Gima gjatë bisedave të ndryshme shpesh më thoshte se është i lumtur që përjetoi ndërkombëtarizimin e sportit dhe institucioneve tjera në këtë rast edhe SHGSK-së, të cilës i priu në mandatin e dytë, prej riaktualizimit të saj në vitin 2000.

Andaj e ndiej obligim njerëzor, moral, kolegial, miqësor e profesional t’ia kushtoj këta rreshta Agim Binakut, edhe pse për të nuk mjaftojnë edhe shumë e shumë faqe për të shkruar.

Personalisht humba një mik dhe kolegë, gazetaria sportive humbi një doajen, derisa Kosova mbeti pa njeriun që tërë jetën kontribuoi për sportin e vendit ku lindi dhe jetoi deri në frymën e fundit.

Prehu në paqe Gimo.

Arlind Grantolli, në emër të Bordit të SHGSK-së.